Presidenti Donald Trump pranoi se lufta në Iran ndikoi në humbjet e republikanëve në zgjedhjet e së martës për Kongresin, por këmbënguli se lufta ishte e nevojshme për të penguar Iranin të siguronte një armë bërthamore.
Trump e bëri këtë koment gjatë një bisede me Martha Maçallum të Fox Neës, ndërsa të martën në mbrëmje po publikoheshin rezultatet e zgjedhjeve, shkruan Fox.
“Mendoj se një pjesë e kësaj kishte të bënte me Iranin. Por, në të njëjtën kohë, njerëzit e kuptuan rëndësinë e asaj që kam bërë me Iranin. Mendoj se, historikisht, kjo do ketë shumë më tepër rëndësi sesa mbrëmja e sotme, sepse nuk mund të lejojmë që shteti që sponsorizon më shumë terrorizmin në botë të ketë një armë bërthamore”, tha Trump.
“Është vendi më i rrezikshëm në botë. Dhe ne i shkatërruam pothuajse plotësisht, duke qenë shumë pranë përfundimit të punës. Dhe ndoshta do ta bëj, ndoshta jo. Ndoshta do tregohen të zgjuar, ndoshta jo. Por ne i kemi goditur rëndë dhe ata janë njerëz të këqij. Ata kanë vrarë mijëra ushtarë tanë. Mijëra njerëz, qindra mijëra. Ata kanë vrarë 75 mijë njerëz gjatë tetë muajve të fundit. Protestues, 75 mijë, aq sa dimë ne. Dhe kjo ishte shifra e dy muajve më parë”, vijoi ai.
Trump më pas tha se nuk kishte pasur zgjidhje tjetër veçse të ndërhynte, duke argumentuar se administratat e mëparshme duhej ta kishin bërë këtë.
“Kjo duhej të ishte bërë shumë kohë përpara se të vija unë. Duhej ta kishin bërë presidentët e tjerë ose vende të tjera. Mua m’u ngarkua kjo detyrë dhe nuk kisha zgjidhje tjetër, sepse Irani ishte vetëm dy javë larg zotërimit të një arme bërthamore”, tha Trump.
“Kjo është marrëveshja e Obamës. Marrëveshja bërthamore që ai bëri ishte një nga marrëveshjet më të këqija dhe më të pamenduara që kam parë ndonjëherë. Ajo ishte një rrugë drejt sigurimit të një arme bërthamore. Dhe nuk mund t’ua japësh atë këtyre të çmendurve. Nuk mund t’i lejosh të kenë një armë bërthamore”.