Eurodeputeti austriak, Andreas Schieder ka bërë thirrje për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian për raportin mbi Shqipërinë, drejtuesi i delegacionit të Partisë Socialdemokrate të Austrisë në grupin parlamentar S&D theksoi se vendet që kanë avancuar më shumë në negociata, veçanërisht Shqipëria dhe Mali i Zi, duhet të ecin përpara me ritme më të shpejta.
“Ky projekt historik i zgjerimit duhet të përmbyllet për vendet që kryesojnë procesin përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore”, u shpreh Schieder, duke nënvizuar njëkohësisht se edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të përmbushë detyrimet e tij për të mundësuar zgjerimin.
Duke u ndalur te Shqipëria, eurodeputeti vuri në dukje se sfidat kryesore lidhen edhe me zhvillimet brenda shoqërisë, ndërsa përmendi veçanërisht çështjen e mjedisit. Sipas tij, procesi i integrimit evropian mund të shërbejë si një mekanizëm për adresimin e këtyre problematikave dhe për përmbushjen e kërkesave që ngrihen nga qytetarët.
“Për Shqipërinë, sfidat janë në shoqëri. Mjedisi, për shembull, tregon se integrimi është zgjidhja”, tha Schieder. Ai shtoi edhe se kërkesat e protestuesve mund të marrin përgjigje edhe përmes negociatave me Bashkimin Evropian dhe procesit të përgjithshëm të integrimit. “Ajo që protestuesit po kërkojnë mund të realizohet edhe përmes negociatave me Bashkimin Evropian apo integrimit në tërësi”, theksoi eurodeputeti.
