Koreja e Veriut lëshoi të mërkurën disa raketa drejt detit, pranë bregut të saj lindor, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut. Ky është lëshimi i katërt i këtij lloji nga Pheniani brenda një muaji. Ushtria e Koresë së Jugut i pikasi raketat, të cilat u lëshuan nga zona e Sondokut, një rajon bregdetar në lindje të Koresë së Veriut, bëri të ditur ministria. Seuli dhe Uashingtoni po e analizojnë me kujdes këtë lëshim dhe mbeten të gatshëm për t'iu përgjigjur çdo provokimi të mundshëm, thuhet në njoftim. Koreja e Veriut ka kryer një sërë testimesh të armëve këtë vit, përfshirë lëshimin e një rakete që përshkoi më shumë se 900 km, si dhe testimin e raketave hipersonike. Njoftimi i Seulit erdhi disa orë pasi Kim Yo Jong, motra e liderit koreano verior Kim Jong Un, përjashtoi mundësinë e dialogut me Uashingtonin, derisa SHBA-ja të heqë dorë nga ajo që ajo e quajti "politikë armiqësore". Ajo gjithashtu përsëriti mohimin e Phenianit se qëndron pas sulmit kibernetik ndaj platformës së shkëmbimit të kriptomonedhave "Binance", pasi FBI-ja akuzoi Korenë e Veriut për kryerjen e kësaj vjedhjeje. Lëshimi i raketave pasoi një raportim në mediat koreanoveriore, sipas të cilit lideri Kim Jong Un vizitoi një kantier detar ku po ndërtohet një anije luftarake dhe theksoi rëndësinë e një force detare të fuqishme.