Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas daljes së progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke deklaruar vendi ynë po vlerësohet më lartë se asnjëherë më parë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar progresraportin si një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane dhe një hap drejt objektivit historik të bashkimit me Europën.
Rama ka theksuar gjithashtu se ‘dera’ e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes së vendit tonë në Union është më reale se kurrë.
Sipas kryeministrit, ‘historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj.’
Reagimi i kryeministrit Rama:
Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë.
Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane.
Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian.
Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën.
Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë.
Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë.
Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj.
Kokën lart dhe përpara Shqipëri

