Autoritetet ukrainase po monitorojnë tetë cisterna që transportojnë mbi 300.000 tonë naftë ruse dhe që mund të jenë nisur drejt Shteteve të Bashkuara, thanë burime në Qeverinë ukrainase për Radion Evropa e Lirë. Shtatë prej anijeve e kanë përcaktuar SHBA-në si destinacion, ndërsa e teta, Athina M., që lundron nën flamurin grek, besohet se po e ndjek të njëjtën rrugë. Sipas të dhënave të vëzhgimit ukrainas, katër nga këto cisterna janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës. Më 9 tetor, Departamenti amerikan i Thesarit lëshoi licencë të përgjithshme të përkohshme, e cila autorizon transaksionet që lidhen me furnizimin e tregjeve botërore me naftë të Rusisë, në përpjekje për të ulur çmimet. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kishte arritur marrëveshje me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për të lejuar furnizimin me miliona tonë naftë ruse gjatë tre muajve, për përdorim në SHBA dhe në tregjet ndërkombëtare. Anijet, të identifikuara nga burimet ukrainase, e kanë ngarkuar naftën në portet ruse gjatë tetorit, kryesisht në Primorsk, në Detin Baltik. Sipas vlerësimeve, ato pritet të mbërrijnë në SHBA nga 7 deri më 18 nëntor.