Komisionerja për Zgjerimin Kos kërkoi që Shqipëria të forcojë më tej shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit e lirinë e medias, ndër të tjera. Ajo tha në PE se qeveria shqiptare duhet të ndryshojë ligjin për investimet strategjike, diçka që kërkohet prej shumë kohësh nga protestuesit në Shqipëri.
Marta Kos nënvizoi se, megjithëse Shqipëria ka shënuar përparim në negociata, sfidat që lidhen me reformat duhet të adresohen për të ecur drejt objektivit të anëtarësimit.
“Ne e dimë se çfarë kërkojnë protestuesit. Ka dallim mes protestuesve të dhunshëm dhe atyre që kanë nisur të protestojnë me qëllime të qarta. Procesi është ndërtuar në mënyrë që vendi të ecë përpara. Vendi nuk mund të ecë përpara nëse nuk përmbush kapitujt. Kapitulli për mjedisin është ndër më të vështirët në Shqipëri aktualisht. Qeveria duhet të ndryshojë disa nga amendamentet dhe ligjin për investimet strategjike. Kjo është pikërisht ajo që kërkojnë protestuesit dhe ne e kemi shënuar këtë.
Ne presim dialog mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë, sepse mbi këtë bazohet edhe procesi i integrimit. Kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera. Nëse një vend është në procesin e integrimit, ne kemi disa mënyra për të vlerësuar nëse ai nuk po ecën në drejtimin e duhur.” – tha Kos ndër të tjera.