Në Pejë, Kryeprokurori i Shtetit kërkon vigjilencë për rastet e dhunës në familje

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Pejë. Atë e shoqëruan Zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni; prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Koordinatori Nacional për Rastet e Dhunës në Familje, Ersan Qavolli; si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi.

Në takimin me prokurorët, Gashi kërkoi që çdo çështje penale të trajtohet me seriozitet, përgjegjësi dhe ndjeshmëri, duke vlerësuar natyrën, peshën dhe rrezikshmërinë e veprës penale e duke ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.

Të lidhura

None found

Trajtimi i dhunës në familje mori vëmendje të posaçme. Kryeprokurori kërkoi vigjilencë, kujdes dhe profesionalizëm institucional në secilin rast. Ai theksoi nevojën për vlerësimin e rrezikut, reagimin në kohë dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të viktimave, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Gashi i informoi gjithashtu prokurorët për mekanizmat e themeluar brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët synojnë të përmirësojnë cilësinë e punës në institucionin e Prokurorit të Shtetit dhe të mbrojnë integritetin e dinjitetin e prokurorëve. Ai i njoftoi edhe për caktimin e prokurorëve mbikëqyrës në prokuroritë e vendit, përfshirë Prokurorinë Themelore në Pejë.

Nga ana e saj, ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores, Valbona Haxhosaj, së bashku me prokurorët, e njohu Kryeprokurorin e Shtetit me gjendjen e përgjithshme të prokurorisë, ngarkesën me lëndë, sfidat dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e saj.


Shtuar më 4.11.2026 14:58

Quantcast