Të shtënat në Bulqizë, 44-vjeçari qëllon aksidentalisht shokun, vdes 29-vjeçari
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të mërkure në Bulqizë, ku një 29-vjeçar ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë gjahu në pyllin e fshatit Fushë-Sopot.
Viktima është identifikuar si Elson Lala, banues në fshatin Strikçan. Sipas të dhënave paraprake të policisë, dyshohet se i riu është goditur aksidentalisht nga një plumb i shkrepur gjatë një gjuetie.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, kur 44-vjeçari Bledian Firi, banues në Tiranë, dyshohet se ka qëlluar me armën e gjahut në drejtim të një kafshe të egër. Por plumbi ka përfunduar në drejtim të 29-vjeçarit, duke i shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale. I riu ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Pas incidentit tragjik, 44-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, ku pritet të kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, arma e gjahut, e dyshuar si e përdorur në këtë ngjarje, është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar se si ndodhi që një dalje për gjueti përfundoi në një tragjedi me humbje jete.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



