Zgjedhjet e mes mandatit në Shtetet e Bashkuara po prodhojnë një hartë të re politike dhe një seri momentesh historike që po ndryshojnë përfaqësimin në institucionet amerikane. Nga ana tjetër, katër kandidatë me origjinë shqiptare u përfshinë në garë, por rezultatet paraprake nuk ishin të favorshme për shumicën prej tyre.
Joe Hoxha rezultonte në avantazh, ndërsa tre kandidatët e tjerë nuk arritën të siguronin fitoren. Hoxha përfaqësues aktual republikan në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticut-it, kryesonte garën në distriktin 78 me rreth 1.8 pikë përqindjeje diferencë. Sipas të dhënave të Decision Desk HQ, deri në mëngjesin e së mërkurës ishin numëruar mbi 95 për qind e votave, por rezultati nuk ishte certifikuar ende zyrtarisht.
Rezultati ishte krejt ndryshe për Diamant Hysenenajn, i cili garoi për Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan në distriktin 14 të New York-ut. Ai u mposht nga demokratja Alexandria Ocasio-Cortez, e cila siguroi rreth 78 për qind të votave, kundrejt 21.5 për qind të kandidatit republikan.
Kandidati demokrat Shpëtim Qorraj nuk arriti të sigurojë një vend në Asamblenë e shtetit të New York-ut. Ai u përball me republikanin në detyrë Michael Tannousis, i cili fitoi garën me afërsisht 60 për qind të votave.
Në Connecticut republikani Peter Lumaj humbi garën për postin e sekretarit të shtetit. Sipas rezultateve të Decision Desk HQ, fitorja i takoi demokratës Stephanie Thomas, sekretare aktuale e shtetit, e cila kryesoi me rreth 24 pikë përqindjeje diferencë.
