Shpërthimi në Elbasan, Ministria e Shëndetësisë: 8 persona të lënduar në spital, mes tyre 1 fëmijë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se, si pasojë e shpërthimit të ndodhur në një pallat banimi në qytetin e Elbasanit, sipas të dhënave paraprake, 8 persona, mes tyre një fëmijë, po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan.
Fatkeqësisht, nga ngjarja ka humbur jetën një 83-vjeçar, i cili është gjetur i pajetë në vendngjarje.
Ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa Spitali Rajonal Elbasan ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të personave të lënduar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në koordinim me strukturat përkatëse, po ndjek nga afër situatën për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit të nevojshëm shëndetësor.
Informacioni mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve do të përditësohet në vijim, bazuar në vlerësimet e ekipeve mjekësore.



