Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar pas shpërthimit të fuqishëm në një pallat banimi në qytetin e Elbasanit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë, tetë persona, mes tyre edhe një fëmijë, po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Elbasanit, pasi kanë mbetur të asfiksuar si pasojë e ngjarjes.
Fatkeqësisht, shpërthimi i mori jetën një 83-vjeçari, i cili u gjet pa shenja jete në vendngjarje.
Ndërkohë, ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa Spitali Rajonal i Elbasanit ka vënë në dispozicion kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e personave të prekur.
Ministria bën me dije se po ndjek nga afër situatën, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, për të garantuar ofrimin e kujdesit të nevojshëm shëndetësor.
Të dhëna të tjera mbi gjendjen shëndetësore të personave të shtruar në spital pritet të bëhen publike në vijim, pas vlerësimeve të mjekëve.

