Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Gjatë operacionit policor të koduar “Variety”, Forca e Posaçme “Shigjeta” dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë goditur dy raste të shitjes së kokainës dhe kanabisit.
Në pranga kanë rënë dy shtetas, 36 dhe 50 vjeç, të dy banues në Tiranë, të identifikuar me inicialet R. S. dhe I. S.
Gjatë kontrollit fizik, në banesën dhe automjetin që drejtonte 36-vjeçari në rrugën “Njazi Meka”, policia gjeti sasi dhe doza të lëndëve të dyshuara narkotike, kokainë dhe Cannabis Sativa. Po ashtu, në automjet u gjet një pistoletë imituese e armës së zjarrit, me zara metalikë.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte 50-vjeçari, në bulevardin “Zogu i Parë”, u gjet një sasi kokaine e ndarë në doza, që dyshohet se ishte përgatitur për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët narkotike, pistoleta imituese, automjetet dhe telefonat celularë të dy të arrestuarve.
Policia bën me dije se operacioni u zhvillua në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme për identifikimin dhe ndalimin e personave që lëvizin të armatosur apo transportojnë lëndë narkotike me qëllim shitjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

