Një shpërthim i fuqishëm ka kthyer në tragjedi një pallat pesëkatësh në qytetin e Elbasanit, ku një person ka humbur jetën, një tjetër rezulton ende i zhdukur, ndërsa tetë persona, mes tyre edhe fëmijë, kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe strukturore në ndërtesë, ndërsa situata në vendngjarje vijon të mbetet kritike. Forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës janë angazhuar në operacionin për kërkimin e personave të zhdukur, evakuimin e banorëve dhe sigurimin e zonës.
Kastriot Skënderaj, drejtor i policisë Elbasan, ka dhënë detaje të reja nga vendngjarja, duke zbuluar se shpërthimi ka shkaktuar dëmtime të rënda në strukturën e ndërtesës. Sipas tij, kati i katërt i pallatit është shembur mbi katin e tretë, ndërsa zjarri që përfshiu fillimisht këtë të fundit është përhapur edhe në katet e tjera.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e flakëve, ndërsa operacioni është përqendruar edhe në kërkimin e personave që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Sipas informacioneve të dhëna nga zjarrfikësit, viktima është gjetur në katin e pestë të ndërtesës, ndërsa një i moshuar rezulton ende i pagjetur.
