Përleshja mes tifozëve të Prishtinës, “Plisave”, dhe atyre të Dritës, “Intelektualëve”, gjatë derbit të zhvilluar të mërkurën në Gjilan, ka përfunduar me lëndimin e tre zyrtarëve policorë.

Incidenti ka ndodhur më 4 nëntor, rreth orës 13:50, në afërsi të stadiumit të Gjilanit, ku po zhvillohej ndeshja mes Dritës dhe Prishtinës, në kuadër të Albi Mall Superligës.


Gjatë pjesës së parë, tifozët e të dyja skuadrave kanë tentuar të përleshen fizikisht mes vete, me ç'rast është dashur ndërhyrja e njësive policore për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Për Telegrafin lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili ka konfirmuar se gjatë ndërhyrjes janë lënduar tre zyrtarë policorë, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Gjilan.

“Më datën 04.11.2026, rreth orës 13:50, gjatë sigurimit të një ndeshjeje futbollistike në qytetin e Gjilanit, jashtë stadiumit ku po zhvillohej ndeshja, tifozët e të dyja ekipeve garuese kanë tentuar të përleshen fizikisht ndërmjet vete, me ç'rast është dashur ndërhyrja e njësive policore për parandalimin e përshkallëzimit të situatës".

"Gjatë ndërhyrjes janë lënduar tre zyrtarë policorë, të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Gjilan. Sipas raportit mjekësor, kanë pësuar lëndime të lehta trupore".

"Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në sqarimin dhe ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Osmani për Telegrafin.

Ndërkohë, në fushën e lojës, Prishtina triumfoi 2-1 ndaj Dritës, me golat e Blend Baftiut dhe Ardrian Hasanit, duke marrë tri pikë të rëndësishme dhe duke u ngjitur në krye të tabelës së Superligës. /Telegrafi/