Fondet europiane për zhvillimin e bujqësisë shqiptare në kuadër të programit IPARD III vazhdojnë të mos jenë të aksesueshme, ndërsa Shqipëria ende nuk ka marrë miratimin e Komisionit Europian për administrimin dhe shpërndarjen e tyre. Raporti i Progresit për vitin 2026 konfirmon se programi nuk ka nisur ende, pavarësisht kërkesave të paraqitura nga autoritetet shqiptare gjatë muajve prill dhe qershor të këtij viti.
Në raportin e publikuar sot, Komisioni Europian evidenton se programi IPARD III, për të cilin dokumenti përcakton një kontribut prej 94 milionë eurosh nga Bashkimi Europian, vazhdon të jetë në pritje të përfundimit të procesit të delegimit të përgjegjësive për zbatimin e buxhetit.
“Programi i zhvillimit rural IPARD III (94 milionë euro kontribut i BE-së) nuk ka nisur ende, për shkak të procesit në vazhdim të delegimit të përgjegjësive”, thuhet në Aneksin I të raportit, ku trajtohen marrëdhëniet financiare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Ky konstatim konfirmon se fermerët dhe sipërmarrjet bujqësore shqiptare vazhdojnë të presin hapjen e një prej instrumenteve kryesore të mbështetjes europiane për modernizimin e sektorit.
Situata vjen pas ndërprerjes së financimeve të programit të mëparshëm IPARD II në vitin 2023, në vijim të hetimeve të Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) mbi dyshimet për parregullsi dhe korrupsion në përdorimin e fondeve.
Pezullimi i pagesave dhe problematikat e evidentuara në administrimin e programit të mëparshëm kanë vendosur në qendër të procesit të ri nevojën për forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian.
Në kapitullin 11, që trajton bujqësinë dhe zhvillimin rural, Komisioni Europian konfirmon se Shqipëria ka paraqitur kërkesat për delegimin e detyrave të zbatimit buxhetor të IPARD III në datat 1 prill dhe 18 qershor 2026.
Megjithatë, raporti nuk konfirmon përfundimin e këtij procesi dhe as një datë konkrete për fillimin e zbatimit të programit.
Kjo do të thotë se, pavarësisht hapave administrativë të ndërmarrë nga institucionet shqiptare, procedurat për marrjen e miratimit europian nuk kanë përfunduar.
Problemet me financimet europiane për bujqësinë shqiptare nisën në korrik 2023, kur Komisioni Europian ndërpreu përkohësisht rimbursimet për programin IPARD II, pas informacioneve të marra nga OLAF për dyshime mbi parregullsi në shpërndarjen e granteve.
Hetimet e OLAF-it evidentuan problematika që lidheshin me procedura jokonkurruese, çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale. Ndër gjetjet e raportuara përfshiheshin edhe raste kur aplikantëve u kërkohej të paguanin një pjesë të grantit te kompani konsulence të paracaktuara.
Në vijim, Komisioni Europian kërkoi masa korrigjuese dhe forcimin e sistemeve të kontrollit për të garantuar mbrojtjen e fondeve të taksapaguesve europianë.
Raporti i Progresit 2026 nuk jep një bilanc përfundimtar të shumave që mund të kërkohen për t’u kthyer, por rithekson detyrimin e autoriteteve shqiptare për të parandaluar, zbuluar dhe raportuar parregullsitë.
Vonesa e programit IPARD III ka rëndësi të drejtpërdrejtë për sektorin bujqësor, pasi fondet synojnë mbështetjen e investimeve në ferma, përpunimin e produkteve bujqësore, agroturizëm, infrastrukturë rurale dhe aktivitete të tjera që rrisin konkurrueshmërinë.
Mungesa e aksesit në këto grante kufizon mundësitë për bashkëfinancimin e investimeve, veçanërisht për fermerët dhe sipërmarrjet që kanë vështirësi në sigurimin e kredive bankare.
Në kapitullin për bujqësinë dhe zhvillimin rural, Komisioni Europian evidenton disa hapa pozitivë të ndërmarrë nga Shqipëria për përafrimin me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së.
Një prej tyre është zhvillimi i Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS), si dhe përparimi në krijimin e Sistemit të Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).
Për këtë të fundit, Shqipëria ka përcaktuar një kuadër financiar prej 8 milionë eurosh deri në vitin 2028 dhe ka përfunduar dy projekte pilot.
Megjithatë, Komisioni thekson se regjistri i fermave duhet të përafrohet plotësisht me kërkesat europiane dhe se kapacitetet institucionale për administrimin e politikave bujqësore duhet të forcohen.
Raporti kërkon gjithashtu përmirësimin e sistemeve të menaxhimit financiar, auditimit dhe kontrollit të fondeve europiane, duke përfshirë dokumentimin e plotë të transaksioneve, parandalimin e konflikteve të interesit dhe zbatimin e masave kundër mashtrimit.
Këto kërkesa marrin rëndësi të veçantë në kontekstin e problemeve të mëparshme me IPARD II dhe procesit ende të papërfunduar për autorizimin./ ekofin.al













