Besueshmëria e procesit të zgjerimit kërkon që Bashkimi Europian të qëndrojë vendosmërisht në krah të qytetarëve që kërkojnë të njëjtat standarde demokratike që ai ua kërkon vendeve kandidate.
Në kulmin e protestave studentore në Serbi, Komisionerja Europiane për Zgjerimin mbajti një fjalim në kampusin e Kolegjit të Europës në Tiranë, duke u përqendruar te angazhimi i të rinjve dhe roli i shoqërisë civile në proceset demokratike. Në fjalën e saj, ajo bëri një paralelizëm me protestat e të rinjve kundër regjimit komunist në Çekosllovaki në vitin 1968, duke theksuar se anëtarësimi në BE nuk duhet parë si një proces i drejtuar ekskluzivisht nga qeveritë, por si një proces që përfshin shoqërinë në tërësi.
Historia e Çekosllovakisë, sado e largët në kohë, është domethënëse. Por ajo nuk e zëvendëson përgjegjësinë për t’iu përgjigjur zhvillimeve aktuale politike në rajonin tonë. Lëvizja studentore serbe ofroi një shembull të fuqishëm dhe aktual pikërisht të atij lloj angazhimi qytetar, përkushtimi demokratik dhe kërkese për llogaridhënie që Komisionerja po promovonte.
Fakti që ajo nuk e përmendi apo nuk iu referua shprehimisht kësaj lëvizjeje ngre një pyetje legjitime: përse guximi dhe kontributi demokratik i studentëve serbë u lanë pa u përmendur, veçanërisht në një moment kur veprimet e tyre mishëronin kaq qartë pikërisht parimet që fjalimi i saj synonte të promovonte?
Për shumë vite, BE-ja i ka dhënë përparësi iluzionit të një stabiliteti sipërfaqësor në vend të përparimit të mirëfilltë demokratik, duke mbyllur sytë përpara mungesës së kushteve të barabarta të konkurrencës politike dhe erozionit të vazhdueshëm të standardeve demokratike.
Protestuesit serbë kanë qenë vazhdimisht dëshmitarë të vizitave të udhëheqësve europianë në vendin e tyre, të cilët i kanë dhënë mbështetje politike qeverisë, pa trajtuar apo vënë publikisht në pikëpyetje regresin demokratik gjithnjë e më të dukshëm.
Kjo qasje filloi të ndryshonte, ndonëse në mënyrë modeste, vitin e kaluar, kur Komisionerja për Zgjerimin deklaroi se BE-ja ndante të njëjtat kërkesa me lëvizjen studentore.
Pesë muaj pas shpërthimit të protestave masive në Shqipëri kundër korrupsionit dhe mënyrës se si merren vendimet që lidhen me të ardhmen e vendit, BE-ja duket se po ndjek një qasje me «dy pamje paralele» ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.
Ndërsa Shqipëria vazhdon të marrë vlerësime pozitive për kapitujt më pak të debatueshëm të negociatave, përparimi në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit dhe mjedisin mbetet ngushtësisht i ndërthurur me tensionet politike dhe protestat e përditshme që po zhvillohen në të gjithë vendin.
Prej vitesh, debati mbi perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është përqendruar rreth një sërë sfidash të njohura: sundimi i ligjit, korrupsioni, kapja oligarkike e institucioneve shtetërore, krimi i organizuar dhe dobësitë e vazhdueshme institucionale.
Këto janë pikërisht çështjet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë.
Kërkesat e tyre për llogaridhënie dhe qeverisje demokratike nuk duhet të shihen si pengesa për rrugën europiane të Shqipërisë. Përkundrazi, ato përfaqësojnë një pjesë thelbësore të këtij procesi.
Duke kërkuar ndryshim dhe duke u kërkuar llogari atyre që janë në pushtet, protestuesit nuk po sfidojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Ata po kërkojnë që ajo të ecë përpara.
Ata po ushtrojnë pikërisht të drejtat dhe përgjegjësitë që përcaktojnë qytetarinë aktive dhe të përgjegjshme në një demokraci.
Qeveria është përpjekur t’i paraqesë protestat si të mbështetura nga aktorë, qëllimi i të cilëve është të minojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Megjithatë, protestat dhe rruga drejt anëtarësimit në BE nuk e përjashtojnë aspak njëra-tjetrën.
Protestuesit po kërkojnë pikërisht ato ndryshime që procesi i anëtarësimit në BE, pavarësisht hapjes dhe mbylljes së kapitujve të negociatave, deri më tani nuk ka arritur t’i sjellë: fundin e personalizimit të tepruar të pushtetit politik, normalizimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike, pabarazive të vazhdueshme ekonomike dhe polarizimit shoqëror në rritje.
Këto kërkesa meritojnë shqyrtim serioz politik, pasi janë në thelb në përputhje me parimet, vlerat dhe standardet demokratike mbi të cilat mbështeten BE-ja dhe procesi i saj i zgjerimit.
Është e rëndësishme të pranohet se pakënaqësitë që qëndrojnë në themel të protestave në Shqipëri janë të ndryshme nga ato që nxisin mobilizimin e të rinjve në vende të tjera të Europës.
Në të gjithë kontinentin, lëvizjet studentore janë shfaqur gjithnjë e më shumë si reagim ndaj një klime më të gjerë pasigurie dhe pesimizmi në rritje për të ardhmen.
Zhgënjimi i tyre pasqyron një Europë që po përpiqet të përcaktojë drejtimin e saj përballë një sërë sfidash strukturore në rritje: plakjes së popullsisë, rritjes së borxhit publik, presionit në rritje mbi sistemet e mirëqenies sociale ndërkohë që zgjerohen shpenzimet për mbrojtjen, thellimit të ndasive për emigracionin dhe vështirësisë për t’u përshtatur me transformimet teknologjike që do të formësojnë dekadat e ardhshme.
Përballë këtyre sfidave, qeveritë kanë pasur vështirësi të artikulojnë një vizion bindës për të ardhmen për një brez të ri gjithnjë e më të shqetësuar për perspektivat dhe mundësitë e tij.
Në Shqipëri, megjithatë, burimet e pakënaqësisë publike janë të ndryshme.
Zemërimi i ka rrënjët në përvojën e një brezi që është rritur mes skandaleve të përsëritura politike, vështirësive të vazhdueshme sociale dhe ekonomike dhe dominimit të zgjatur të së njëjtës udhëheqje politike.
Të rinjtë kanë parë të njëjtat probleme të rishfaqen vazhdimisht, me pak llogaridhënie dhe me pak zgjidhje të besueshme.
Prandaj, zhgënjimi i tyre nuk është thjesht pasqyrim i pasigurisë për atë që rezervon e ardhmja, por një refuzim i një realiteti politik që ka mbetur kryesisht i pandryshuar prej vitesh.
Ajo që ata kërkojnë është një shkëputje vendimtare nga e kaluara dhe mundësia për të formësuar një të ardhme ndryshe për vendin e tyre.
Kapërcimi i ngërçit aktual politik në Shqipëri kërkon angazhim dhe mbështetje domethënëse nga BE-ja.
Shembujt e mëparshëm të përfshirjes së BE-së në krizat politike në rajon, në kontrast me reagimin e saj ndaj zhvillimeve në Serbi, tregojnë se sa vendimtar mund të jetë një angazhim i tillë për të çuar përpara integrimin europian të një vendi.
Kjo nuk duhet kuptuar si ndërhyrje e jashtme në punët e brendshme.
Përkundrazi, BE-ja ka si autoritetin politik, ashtu edhe instrumentet institucionale për të vepruar si lehtësuese, duke ndihmuar në kapërcimin e hendekut të vazhdueshëm midis sundimit të ligjit si kërkesë formale e anëtarësimit dhe zbatimit të tij real në shoqëri.
Roli i saj duhet të jetë nxitja e llogaridhënies, forcimi i institucioneve demokratike dhe ndihma për krijimin e kushteve për dialog dhe reforma të mirëfillta politike.
Megjithëse Komisionerja për Zgjerimin theksoi së fundmi se mbrojtja e mjedisit dhe trajtimi demokratik i protestave janë pjesë përbërëse e angazhimeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, këto deklarata ende nuk janë shoqëruar me veprime konkrete.
Duke vepruar kështu, Komisioni Europian rrezikon të humbasë një mundësi të rëndësishme për të forcuar lidhjen mes aspiratave demokratike të qytetarëve dhe procesit të anëtarësimit në BE.
Në fund të fundit, sundimi i ligjit nuk mund të garantohet në mënyrë kuptimplotë kur zëri i qytetarëve nuk dëgjohet realisht dhe kërkesat e tyre për llogaridhënie demokratike mbeten pa përgjigje.
Respektimi i sundimit të ligjit duhet të shkojë përtej angazhimeve formale dhe kritereve të negociatave.
Ai duhet të pasqyrohet në mënyrën se si ushtrohet pushteti dhe se si respektohen në praktikë të drejtat e qytetarëve.
Besueshmëria e procesit të zgjerimit kërkon që BE-ja të qëndrojë vendosmërisht në krah të qytetarëve që kërkojnë të njëjtat standarde demokratike që ajo ua kërkon vendeve kandidate.
Në Shqipëri, ku mbështetja për anëtarësimin në BE mbetet e fortë, protestuesit vazhdojnë ta shohin Europën si një burim parimesh demokratike dhe llogaridhënieje.
Perspektiva e anëtarësimit në BE mbetet, ndoshta më shumë se kurrë, i vetmi vizion politik i aftë të sigurojë mbështetje të gjerë dhe të qëndrueshme në të gjithë shoqërinë shqiptare.
Megjithatë, ruajtja e kësaj mbështetjeje kërkon që BE-ja të tregojë se përkushtimi i saj ndaj standardeve demokratike pasqyrohet jo vetëm në kushtet që vendos për anëtarësimin, por edhe në reagimin e saj ndaj situatës politike me të cilën po përballet Shqipëria.
Rishikimi i politikës së zgjerimit, i publikuar së fundmi, synon ta bëjë BE-në të aftë të përballojë zgjerimin me shtete më të dobëta dhe më të varfra.
Sundimi i ligjit dhe përafrimi gjeopolitik janë parakushte për këtë.
Me Shqipërinë tashmë mes vendeve kryesuese në procesin e anëtarësimit, ndikimi dhe fuqia e BE-së për të ushtruar presion ndaj vendit kanë arritur në një pikë kritike.
Kjo i jep BE-së një mundësi për të ndihmuar në kapërcimin e hendekut në sundimin e ligjit dhe për të dëshmuar një përkushtim më të fortë ndaj së ardhmes demokratike të Shqipërisë.
Kjo do të thotë të sigurohet që reformat të shkojnë përtej angazhimeve formale dhe ndryshimeve ligjore, të bëhen të pakthyeshme dhe të përkthehen në përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve shqiptarë.













