Një shpërthim i fuqishëm në një pallat 5-katësh në Elbasan shkaktoi dëme të rënda strukturore dhe humbjen e jetës së një 83-vjeçareje.
10 persona janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe kontrolle, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e një 69-vjeçari që rezulton ende i pagjetur.
“Një shpërthim ka ndodhur në një pallat 5-katësh. Është vënë re një dëmtim i strukturës së pallatit. Kemi pasur një shembje të katit të 4-t, i cili ka rënë në katin e 3-të, si dhe të shkallëve lidhëse nga kati i 3-të në katin e 5-të.
Në momentin e shpërthimit ka pasur fillimisht një zjarr në katin e 3-të, i cili është përhapur. Kemi pasur, fatkeqësisht, një humbje jete, një grua 83-vjeçare, e cila ishte në katin e 5-të. Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur. Kemi pasur 10 persona që janë dërguar në spital për ndihmë dhe kontrolle mjekësore.
Njëri nga sektorët e pallatit është bërë i pabanueshëm dhe besojmë se do të jetë e pabanueshme një pjesë e pallatit, por i gjithë pallati paraqet probleme”, tha kryebashkiaku i Elbasanit për mediat.












