Një shqiptar 61-vjeçar ka humbur jetën në një aksident tragjik në vendin e punës, në qytetin e Casaranos, në provincën e Lecces në Itali. Bashkim Rushani, me origjinë nga Durrësi, u zu poshtë nga një portë e rëndë rrëshqitëse, e cila u rrëzua gjatë punimeve në një banesë private.
Ngjarja ndodhi paraditen e së mërkurës, në zonën e njohur si Contrada Spagnolo. Rushani po punonte në pronën private, kur porta rrëshqitëse u shkëput dhe e zuri poshtë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, 61-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve të marra.
Në vendngjarje mbërritën karabinierët dhe inspektorët e Shërbimit për Parandalimin dhe Sigurinë në Vendin e Punës (Spesal), të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në rrëzimin e portës.
Bashkim Rushani jetonte prej vitesh në Casarano, ku kishte krijuar aktivitetin e tij në sektorin e ndërtimit. Ai ishte pronar i kompanisë individuale “Bashkim”, që merrej me punime ndërtimore.

