Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas publikimit të Progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026, duke ironizuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe mënyrën se si ky i fundit e ka paraqitur dokumentin e Brukselit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi e cilëson raportin si një dëshmi të problemeve serioze me korrupsionin, drejtësinë dhe funksionimin e institucioneve në vend.
Sipas tij, kryeministri po përpiqet të paraqesë si sukses një dokument që, në të vërtetë, ngre shqetësime për qeverisjen dhe standardet demokratike në Shqipëri.
“Edi Rama ia doli ta bëjë Shqipërinë me Regres Raport!”, shkruan Këlliçi, duke përdorur një lojë fjalësh për të ironizuar vlerësimin e Komisionit Europian.
Një prej çështjeve ku deputeti demokrat ndalet veçanërisht është ajo e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Këlliçi pretendon se shumica parlamentare ka përdorur mbështetjen politike për të penguar veprimet e drejtësisë, ndërsa e lidh këtë çështje me shqetësimet e ngritura në raport për respektimin e barazisë përpara ligjit dhe balancën mes pushteteve.
Kritikat e tij shtrihen edhe te prokurimet publike, ku ai pretendon se raporti evidenton problematika të larta në tenderat qeveritarë. Po ashtu, Këlliçi përmend mungesën e llogaridhënies së qeverisë dhe refuzimin e ngritjes së komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita.
Një tjetër pikë e reagimit lidhet me lirinë e medias dhe administrimin e fondeve europiane për bujqësinë. Sipas deputetit demokrat, problematikat e lidhura me fondet IPARD vijojnë të pengojnë financimet e reja europiane për sektorin bujqësor.
Në reagimin e tij, Këlliçi rendit disa prej kritikave që, sipas interpretimit të tij, dalin nga dokumenti i Komisionit Europian.
“Vetëm Kryeministri më i korruptuar në Europë mund ta quajë vlerësim dhe sukses raportin e BE, kur aty ngrihet shqetësimi për mbrojtjen e Belinda Ballukut dhe aferave të saj në Kuvend duke penguar drejtësinë, kur evidentohet abuzim i lartë në tenderat qeveritare, kur theksohet refuzimi i llogaridhënies, i komisioneve hetimore që ka kërkuar Partia Demokratike dhe opozita, kur vihet në dukje cënimi i lirisë së medias, ku thuhet hapur se fondet e IPARD III sërish nuk do të vijnë, pasi autoritetet këtu nuk bindin se nuk do t’i vjedhin prapë”, deklaron Këlliçi.
Deputeti demokrat e konsideron Progresraportin një tjetër argument në mbështetje të akuzave të opozitës ndaj qeverisë Rama. Sipas tij, problematikat e evidentuara nga institucionet europiane tregojnë se kryeministri është kthyer në pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në përfundim, Këlliçi përdor tone të ashpra ndaj qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë si një “Narkoshtet” dhe duke pretenduar se raporti i KE-së konfirmon kritikat e opozitës.
“Këto janë vetëm disa nga ‘vlerësimet’ e Komisionit, për Edi Ramën e qeverisjen e tij, ku qartazi del se ai është pengesa kryesore e integrimit të vendit tonë. Sigurisht Narkoshteti i parë në Europë, nuk mund të trajtohet ndryshe!”, përfundon Këlliçi.