Mbrëmjen e kësaj të mërkure protesta përpara Kryeministrisë është shoqëruar me përplasje mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë. Në qendër të incidentit kanë qenë Edison Lika dhe Dritan Goxhaj, të cilët janë shoqëruar nga policia pasi kanë refuzuar të marrin fletët e gjobës të vendosura ndaj tyre.
Dy protestuesit kanë kundërshtuar masën, duke pretenduar se autoritetet ishin njoftuar paraprakisht për zhvillimin e protestës. Ndërhyrja e policisë ka shkaktuar reagimin e qytetarëve të pranishëm, të cilët janë mbledhur përpara furgonit të efektivëve në përpjekje për të penguar shoqërimin e tyre.
Por tensionet e mbrëmjes vijnë pas një dite të gjatë protestash të zhvilluara nga studentët. Marshimi nisi në Universitetin Politeknik, vijoi drejt Fakultetit Ekonomik dhe më pas pranë Ministrisë së Arsimit, ku studentët qëndruan për disa orë duke shprehur kundërshtimet e tyre. Në vijim, protestuesit u zhvendosën përpara Kryeministrisë, ku tubimi vijon mes pranisë së forcave të policisë dhe situatës së tensionuar pas shoqërimit të dy qytetarëve.
