Gazetari Andi Tela, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke u ndalur te problematikat e funksionimit të Parlamentit, mungesa e dialogut politik dhe standardet e zgjedhjeve.
Tela theksoi se raportet e progresit të Bashkimit Europian shoqërohen zakonisht me vlerësime pozitive për përparimin e Shqipërisë krahasuar me vitin e mëparshëm, por pas fjalës ‘por’ paraqitet një listë e gjatë problematikash që pasqyrojnë realitetin në vend.
Sipas gazetarit, një nga konstatimet më të rëndësishme të raportit lidhet me funksionimin e Parlamentit shqiptar, i cili, në vend që të ushtrojë rolin e tij kushtetues, është kthyer në një institucion që miraton nismat e qeverisë, pa i dhënë hapësirën e duhur opozitës.
‘Ne jemi mësuar që raportet të paraqiten gjithmonë si arritje në raport me një vit më parë. Në të gjitha raportet, frazat e para që dëgjohen, qoftë nga Marta Kos apo nga autoritete të tjera, janë se Shqipëria ka përparuar, Shqipëria ka ecur përpara, Shqipëria ka shënuar progres krahasuar me një vit më parë.
Dhe pastaj vjen lidhëza ‘por’. Pas këtij ‘por’-i, raporti paraqet një listë të gjatë problematikash, e cila tregon realitetin në Shqipëri.
Përtej çështjeve që përmendi Ilda dhe që çuditërisht mungojnë në raport, pjesa më e rëndësishme është konstatimi që e dëgjojmë herë pas here edhe nga opozita: ky parlament në Shqipëri është kot. Pra, nuk ka asnjë vlerë.
Është një parlament ku 90% të ligjeve i sjell qeveria dhe vetë institucioni nuk prodhon asgjë. Një parlament ku opozita përjashtohet nga salla, ku çdo nismë e saj rrëzohet, ku ligjet e paraqitura janë pothuajse të gjitha nisma të qeverisë dhe çdo propozim i opozitës hidhet poshtë pa u marrë në konsideratë.
Nuk ka dialog, parlamenti nuk funksionon dhe nuk kryen detyrat që duhet të përmbushë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk merren parasysh nga Parlamenti. Mbi të gjitha, çështja më e rëndësishme është mënyra se si kjo mazhorancë i përgjigjet asaj që po ndodh në Shqipëri, pra protestës që po mbush 150 ditë. Një protestë që është më e madhja që nga dita e parë e pluralizmit politik.
Këtë e thotë vetë raporti, duke e cilësuar me një fjali edhe mënyrën se si mazhoranca po sillet ndaj protestës. Bëhet fjalë për mungesën e dialogut, mungesën e çdo lëvizjeje nga ana e saj dhe faktin se nuk ka asnjë formë reagimi, përveç braktisjes së protestës dhe sulmeve ndaj Partisë Demokratike, e cila është pjesë e saj. Pra, kjo është mënyra se si qeveria e shmang, e refuzon dhe e largon protestën.
Nuk diskutohet fare fakti që mazhoranca i ka 84 votat dhe i përdor ato sipas dëshirës së saj.
Pra, sado të përpiqesh ta fshehësh realitetin shqiptar në ato raporte, është e pamundur që çështjet thelbësore të shmangen nga debati publik.’, u shpreh Andi Tela në SYRI TV.
© SYRI.net