Nga zhvillimet në Abissnet Superiore te nëntori kuqezi. Gjithçka që u diskutua në episodin e radhës “Në Shtëpinë e Futbollit”

4 Nëntor 2026
19:23
Telesport
back button

Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV i kushtoi vëmendje muajit nëntor, i cili sjell një kalendar të ngjeshur për ekipet Kombëtare shqiptare, me ndeshjet e fundit të vitit 2026. Në fokus ishte Kombëtarja A, që do të luajë dy sfidat e fundit të UEFA Nations League ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë, si dhe aktiviteti i ekipeve të tjera kombëtare, zhvillimet në kampionatet vendase dhe paraqitjet e futbollistëve shqiptarë jashtë vendit.

Nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Erjon Xhafa, dhe gazetari sportiv, Alban Aga.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua Kombëtares A dhe dy ndeshjeve të fundit të UEFA Nations League, ndaj Finlandës më 12 nëntor në stadiumin “Air Albania” dhe Bjellorusisë më 15 nëntor në transfertë. Të ftuarit diskutuan për rëndësinë e këtyre dy përballjeve dhe objektivit të kuqezinjve për të siguruar vendin e parë.

Vëmendje morën edhe paraqitjet e legjionarëve shqiptarë në kampionatet europiane, me analizën e formës dhe kontributit të tyre në skuadrat respektive, në prag të grumbullimit të radhës të Kombëtares.

Nëntori do të jetë një muaj i rëndësishëm edhe për ekipet e tjera kombëtare. Kombëtarja U-21 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore, ndaj Luksemburgut dhe Spanjës, ndërsa Kombëtaret U-19 dhe U-17 do të zbresin në fushë për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian. Në emision u diskutua gjithashtu edhe për Kombëtaren e vajzave, e cila ka mësuar kundërshtaret për edicionin e UEFA Nations League 2027.

Në fokus ishte edhe kampionati “Abissnet Superiore”, ku është mbyllur java e 10-të. Egnatia vijon momentin pozitiv, duke mposhtur Tiranën me rezultatin 2-1, ndërsa Partizani u rikthye te fitorja pas suksesit 1-0 në transfertë ndaj Teutës. Dinamo City u ndal në barazim ndaj Vorës, ndërsa AF Elbasani fitoi 2-1 kundër Laçit. Nën drejtimin e trajnerit Glen Daja, verdhëblutë kanë regjistruar tri rezultate pozitive radhazi, me dy fitore dhe një barazim. Në sfidën tjetër, Skënderbeu dhe Vllaznia ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1.

Një tjetër temë e diskutimit ishte aventura europiane e Egnatias. Kampionët e Shqipërisë vijojnë angazhimin në UEFA Conference League, ku do të luajnë ndeshjen e tretë të fazës së ligës në transfertë ndaj Universitatea Craiova, në një tjetër provë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Emisioni solli në vëmendje edhe paraqitjen e Kombëtares U-15 në FIFA U-15 World Cup & Festival. Shqipëria e mbylli këtë eksperiencë ndërkombëtare në vendin e 17-të, pas një aventure me disa ndeshje dhe rezultate pozitive, që u dha futbollistëve të rinj mundësinë të përballen me kundërshtarë nga vende të ndryshme të botës.

“Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet kombëtare të moshave, kampionatet kombëtare, paraqitjet e legjionarëve dhe aktivitetet e projektet e FSHF-së.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit