Ndonëse ishte thirrur nga Prokuroria për të dëshmuar kundër Ramadan Morinës, Zejnije Morina ka deklaruar në gjykatë se bashkëfshatari i saj është i pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Ramadan Morina po gjykohet për përfshirjen e dyshuar në vrasjen e 34 civilëve në fshatin Burim të Malishevës, më 1 mars 1999. Sipas aktakuzës, ai ka bashkëpunuar me pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe në kryerjen e këtij krimi.
Gjatë dëshmisë, Zejnije Morina ka mohuar që ai të ketë marrë pjesë në vrasje, duke këmbëngulur se është paraqitur në gjykatë për të thënë të vërtetën. Ajo e ka përshkruar Ramadan Morinën si një person me karakter të mirë, të cilin e njeh që në moshën 14-vjeçare, kur ai punonte si taksist.
Gjatë marrjes në pyetje, prokurori ka ndërhyrë për ta orientuar dëshmitaren drejt informacioneve që ajo kishte dëgjuar për ngjarjen. Megjithatë, ajo ka folur edhe për zhvillimet e marsit 1999 dhe veprimet e forcave serbe në fshat.
Nga ana tjetër, Ramadan Morina është deklaruar i pafajshëm që në seancën fillestare. Ai ka pretenduar se gjatë viteve 1998-1999 nuk ka qenë fare në Kosovë dhe se disponon prova për të vërtetuar këtë pretendim.
Çështja po shqyrtohet në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku në seancat e ardhshme pritet të paraqiten dhe analizohen provat e palëve.













