Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 61-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë. Policia ka sekuestruar një pajisje DVR në banesën ku ndodhi krimi, e lidhur me tri kamera sigurie, por gjatë kontrollit nuk janë gjetur pamje filmike nga momenti i ngjarjes.
Sipas gazetarit Elton Qyno, dyshohet se Gazmir Fiku, djali 33-vjeçar i viktimës dhe një nga personat e arrestuar për ngjarjen, ka fshirë regjistrimet përmes telefonit të tij. Për këtë arsye, Policia e Dibrës ka kërkuar ekspertimin kompjuterik të pajisjes, me qëllim rikuperimin e mundshëm të pamjeve të fshira.
Hetimet paraprake lidhin krimin me konflikte të shkaktuara nga xhelozia, që dyshohet se kishin lindur për shkak të një marrëdhënieje sentimentale të Urim Fikut. Në këtë ngjarje dyshohet të jenë përfshirë djali i tij, Gazmir Fiku, dhe bashkëshortja 57-vjeçare e viktimës, Sadete Fiku.
Të dy u arrestuan pak orë pas ngjarjes. Sipas policisë, ata dyshohen se kanë bashkëpunuar në vrasjen e 61-vjeçarit me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse, ndërsa më pas kanë tentuar të fshehin krimin, duke e raportuar vdekjen si pasojë të një sulmi dhe kafshimi nga një ari.
“Gazmir Fiku, djali i të ndjerit Urim Fiku dhe Sadete Fiku, gruaja e viktimës, u ndaluan pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse 61-vjeçarin”, bëri të ditur policia lokale në komunikatën e saj.
Gazmir Fiku, 33 vjeç, nga Bulqiza, punonte prej më shumë se një dekade si supervizor pranë OSHEE-së. Ndërkohë, ekspertimi i pajisjes DVR pritet të ndihmojë hetuesit të zbulojnë nëse regjistrimet e kamerave mund të rikuperohen dhe çfarë ka ndodhur në banesë para dhe pas krimit.

