Një nismë e krijuar nga disa prej kompanive më të mëdha të sektorit të kriptomonedhave, me synimin për të frenuar aktivitetet e paligjshme, është shpërbërë në heshtje, në një kohë kur krimet që përfshijnë asetet digjitale vijojnë të shtohen me ritme të shpejta.
Organizata që qëndron pas blockchain-it Tron bashkëpunoi me emetuesin e stablecoin-it Tether dhe kompaninë analitike TRM Labs për të krijuar Njësinë T3 kundër Krimit Financiar (T3 Financial Crime Unit), në shtator 2024. Nisma synonte krijimin e një industrie të kriptomonedhave “më të sigurt dhe më të mbrojtur”. Një vit më vonë, platforma e shkëmbimit të aseteve digjitale Binance iu bashkua grupit, i cili njoftoi se, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, kishte ngrirë gjithsej 250 milionë dollarë asete të përfituara nga aktivitete të paligjshme në mbarë botën.
Megjithatë, kohët e fundit aleanca ishte shpërbërë dhe më pas ishte mbyllur përfundimisht, sipas personave të njohur me çështjen, të cilët kërkuan të mos identifikoheshin, pasi vendimi për përfundimin e T3 nuk ishte bërë publik. Sipas njërit prej tyre, gjatë vitit të fundit nisma ishte penguar nga vonesat në reagim dhe mungesa e koordinimit mes anëtarëve. Një tjetër person tha se T3 u shpërbë në fund të gushtit.
“Megjithëse programi shumë i suksesshëm T3 ka përfunduar, Tron mbetet i përkushtuar për të ndihmuar në ndalimin e aktiviteteve të paligjshme në blockchain, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese”, deklaroi një zëdhënës i Tron DAO. “Së shpejti do të bëjmë të ditura më shumë detaje për nismën tonë të re.” Tron u themelua nga miliarderi i sektorit të kriptomonedhave, Justin Sun.
Tether do të “vazhdojë të bashkëpunojë me TRM-në për të ndërprerë dhe bllokuar qarkullimin e fondeve të paligjshme”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë, duke shtuar se Tether ka marrë pjesë në Beacon Network, një nismë për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, e themeluar nga TRM vitin e kaluar.
“T3 arriti rezultate të jashtëzakonshme”, tha Ari Redbord, drejtuesi global i TRM-së për politikat dhe marrëdhëniet me qeveritë. “Beacon Network ndërtohet mbi punën e bërë nga kjo nismë.”
Binance nuk pranoi të komentonte.
Shpërbërja e T3 vjen në një kohë kur janë regjistruar një sërë vjedhjesh të mëdha të kriptomonedhave dhe është rritur fluksi i fondeve drejt adresave të lidhura me aktivitete të paligjshme. Kulmi u shënua javën e kaluar, me një grabitje rekord, gjatë së cilës hakerët përvetësuan 6,3 miliardë dollarë nga Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave.
Kompanitë e sektorit të kriptomonedhave janë përballur me një seri sulmesh kibernetike gjatë muajve të fundit. Madje, edhe kuletat fizike të kriptomonedhave (hardware wallets), të konsideruara prej kohësh si vendi më i sigurt për ruajtjen e tyre, kanë pësuar sulme dhe janë shfrytëzuar nga hakerët. Në gusht, ata vodhën më shumë se 100 milionë dollarë në Bitcoin nga kuletat e siguruara me pajisjet e kompanisë Coinkite Inc. Më vonë, përvetësuan miliona dollarë edhe nga produkte të ngjashme të prodhuara nga Ledger.
Kriminaliteti në sektorin e kriptomonedhave është rritur ndjeshëm gjatë periudhës së ekzistencës së T3. Sipas një raporti të kompanisë analitike Chainalysis, gjatë vitit 2025 adresat e lidhura me aktivitete të paligjshme morën të paktën 154 miliardë dollarë, një rritje prej 162 për qind krahasuar me vitin pararendës. Kjo rritje u shkaktua kryesisht nga një shtim prej 694 për qind i vlerës së fondeve të marra nga subjekte ndaj të cilave janë vendosur sanksione.
Sektori është përgjigjur duke intensifikuar përpjekjet për ngrirjen e fondeve. Tether, emetuesi i stablecoin-it më të madh në botë, USDT, ka vendosur deri më tani në listën e zezë asete me vlerë totale prej 5 miliardë dollarësh, sipas të dhënave të publikuara në faqen e saj të internetit.
Menjëherë pas sulmit ndaj Binance, Tether ngriu rreth 1,5 miliardë dollarë në USDT, duke kontribuar në një përpjekje të përbashkët të industrisë, e cila bëri të pamundur përdorimin e rreth gjysmës së shumës së grabitur.
Kjo la hakerët e Binance-it, të cilët sipas Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI) kanë lidhje me Korenë e Veriut, me më shumë se 3 miliardë dollarë për t’i pastruar përmes transaksioneve financiare.
“Pjesa më e madhe e pastrimit të parave deri më tani është kryer përmes rrjetit Tron, megjithëse aktiviteti atje ka qenë i qetë që prej orës 05:00 UTC të datës 1 nëntor”, deklaroi Elliptic në një njoftim në fillim të kësaj jave. Zëdhënësi i Tron nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment lidhur me fondet e pastruara.
Përveç Beacon Network, Tether po punon gjithashtu për një nismë të quajtur Fondacioni për Qasjen Financiare dhe Fuqizimin Sistemik (Financial Access and Systemic Empowerment – FASE), e cila u prezantua në tetor, bëri të ditur zëdhënësi i kompanisë.