E enjte, 5 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rëndohet bilanci i tragjedisë në Elbasan, shkon në 2 numri i viktimave
Lajme

Rëndohet bilanci i tragjedisë në Elbasan, shkon në 2 numri i viktimave

69-vjeçari gjendet i pajetë nën rrënojat e pallatit

Pas më shumë se 17 orësh kërkimesh të pandërprera, operacioni i kërkim-shpëtimit në pallatin e dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm në Elbasan ka përfunduar me një tjetër bilanc tragjik. 69-vjeçari Hamit Ibra, i cili rezultonte i zhdukur që prej momentit të ngjarjes, është gjetur i pajetë nën rrënojat e ndërtesës.

Gjetja e trupit të tij e çon në dy numrin e viktimave nga shpërthimi që tronditi qytetin mesditën e së mërkurës, 4 nëntor. Më herët, jetën kishte humbur edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.

Për familjarët e 69-vjeçarit, pritja që zgjati gjatë gjithë natës dhe orëve të para të mëngjesit është mbyllur në mënyrën më të dhimbshme, ndërsa ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në lagjen “Beqir Dardha”.

Pas shpërthimit, ekipet e emergjencave nisën menjëherë kërkimet në godinën e dëmtuar rëndë, por ndërhyrja u vështirësua nga gjendja e paqëndrueshme e strukturës dhe rreziku i shembjes së mëtejshme.

Në operacion u angazhuan shërbimet zjarrfikëse, Policia e Shtetit, strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura. Për lokalizimin e 69-vjeçarit u aktivizuan dy ekipe të specializuara kërkim-shpëtimi, me gjithsej 17 efektivë, të cilët punuan pa ndërprerje gjatë natës.

Për të bërë të mundur kërkimet nën rrënoja u përdorën kamera termike dhe pajisje speciale për lokalizimin e personave, mjete për prerjen e betonit, si dhe jastëkë ajri për ngritjen e elementeve të rënda të strukturës.

Ndërhyrja kërkonte kujdes maksimal, pasi shpërthimi kishte dëmtuar rëndë muret, shkallët dhe pjesë të tjera të pallatit, duke krijuar rrezik edhe për vetë ekipet e shpëtimit.

Në momentet e para pas ngjarjes, shërbimi zjarrfikës i Elbasanit ndërhyri me pesë automjete dhe 25 punonjës. Falë operacionit u arrit të evakuoheshin më shumë se 10 banorë nga katet e sipërme të ndërtesës, mes tyre edhe të moshuar e fëmijë.

Për nxjerrjen e banorëve në siguri u përdor edhe shkalla e emergjencës, ndërsa disa prej personave që kishin shfaqur shenja asfiksie të lehtë morën ndihmë mjekësore dhe më pas u rikthyen pranë familjarëve.

Sipas informacionit të bërë publik nga shërbimet zjarrfikëse, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha humbi jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e shpërthimit dhe jo nga flakët e zjarrit.

Shpërthimi shkaktoi shkatërrime të mëdha në apartamentin ku ndodhi ngjarja, ndërsa dëmet u përhapën edhe në pjesë të tjera të ndërtesës. Muret dhe shkallët e pallatit pësuan dëmtime të rënda, duke e kthyer zonën në një kantier emergjence dhe duke detyruar evakuimin e banorëve.

Ndërkohë, autoritetet pritet të vijojnë hetimet për të zbardhur shkakun e shpërthimit, rrethanat në të cilat ndodhi dhe përgjegjësitë eventuale. Paralelisht, do të vlerësohet edhe siguria strukturore e godinës, pas dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.