Është gjetur 13-vjeçari me inicialet I.Q., i cili ishte raportuar si person i zhdukur më 1 nëntor 2026, pasi ishte larguar nga strehimorja në fshatin Dardani të Ferizajt, ku ishte nën përkujdesjen e Qendrës për Punë Sociale.
Sipas Policisë, pas angazhimit të hetuesve rajonalë dhe bashkëpunimit me Qendrat për Punë Sociale në Ferizaj dhe Deçan, i mituri është gjetur më 5 nëntor, rreth orës 00:15.
Ai ishte vërejtur nga disa qytetarë pranë një qendre tregtare në Ferizaj, të cilët më pas e kanë dërguar në stacionin policor.
Pas intervistimit nga hetuesit dhe përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale, 13-vjeçari është vendosur përkohësisht në një strehimore të sigurt, deri në gjetjen e një zgjidhjeje nga institucionet kompetente.
Policia dhe institucionet përkatëse po vazhdojnë trajtimin e rastit në përputhje me procedurat ligjore.