“I forti i Saukut”, Eduart Dushku, është arrestuar në Rrugën e "Elbasanit" në Tiranë, teksa lëvizte me motor me një pistoletë dhe municion. Policia dyshon se 49-vjeçari do ta trafikonte armën, ndërsa në banesë iu gjet edhe një jelek antiplumb.
Dushku u ndalua gjatë operacionit të koduar “Eksponenti”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe forcat “Shqiponja”. Gjatë kontrollit të motomjetit, efektivët gjetën pistoletën me municion.
“Gjatë kontrollit në të, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën dyshohet se shtetasi E. D. do ta trafikonte. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet 1 jelek antiplumb”, njofton Policia.
Arma, jeleku antiplumb, motori dhe celulari u sekuestruan, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë.
I njohur edhe me emrin Edison Dushku, 49-vjeçari është arrestuar disa herë. Në mars të vitit 2012, ai u ndalua si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Abdulla Vrapit, të ndodhur një vit më parë pranë Sanatoriumit në Tiranë.
Emri i tij u përmend edhe në hetimet për djegien e një automjeti dhe një shpërthim në një lokal në Saukun e Vjetër. Në vitet 2017 dhe 2018 u arrestua sërish, ndërsa në vitin 2020, Operacioni Forca e Ligjit i sekuestroi tre automjete dhe i kërkoi të deklaronte burimin e pasurisë.
Dushku është përmendur edhe për një transaksion prone me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Eduart Dushku, i njohur edhe me emrin Edison Dushku dhe nofkën “i forti i Saukut”, është një personazh i njohur në Tiranë. Emri i tij është përmendur ndër vite në disa ngjarje kriminale, hetime policore dhe procedime për vepra të ndryshme penale.
Dushku u bë i njohur për publikun pas vrasjes së Abdulla Vrapit, në gusht të vitit 2011, në zonën e njohur si “Depot e Ujit”, pranë Sanatoriumit në Tiranë. Ai u arrestua në mars 2012, pasi u dyshua nga hetuesit për përfshirje në këtë ngjarje. Sipas raportimeve të kohës, konflikti dyshohej se kishte nisur për motive të lidhura me transportin urban.
Emri i tij u rikthye në vëmendje në vitet 2014 dhe 2015, kur në Saukun e Vjetër u regjistruan dy ngjarje, djegia e një automjeti dhe një shpërthim me lëndë plasëse në një lokal. Dushku u përmend në raportimet mediatike në lidhje me hetimet për këto episode.
Në shtator të vitit 2017, ai u arrestua sërish, në kuadër të një çështjeje që lidhej me shkatërrimin e pronës me zjarr, ndërsa ndaj tij ishte caktuar më herët masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Një tjetër arrestim u regjistrua më 1 mars 2018, gjatë operacionit policor të koduar “Përsëritësi”. Dushku u kap në rrugën e Elbasanit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij policia raportoi gjetjen e sendeve të paligjshme.
Në prill të vitit 2020, emri i tij u përfshi edhe në aksionin e Operacionit Forca e Ligjit. OFL-ja i sekuestroi tre automjete dhe i kërkoi të deklaronte burimin e pasurisë.
Dushku është përmendur gjithashtu në raportimet mediatike për një marrëdhënie biznesi me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, në lidhje me një pronë të blerë prej tij.
-
Çun i mire,sa here kapet del menjehere.Bravo prokuroria,gjykata.Mos harroni edhe kete here,sa me shpejt ta nxirrni.
Përgjigju -
Bravo çuna per punen tuaj , por ama ta dini se ne fund do dali rob i mir ky dhe prokuroria dhe gjykata shoshë do e denoj me pune ne komunitet per sjellje te mire dhe mungese rrezikshmerie.Zoti i denofte zullumqaret
Përgjigju







Komente
Komento