Kolektivi Feminist kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt: Ku është rasti i saj?

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion para objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe zbardhjen e rastit.
Përfaqësueset e Kolektivit kanë kërkuar të takohen me kryesuesin e KPK-së, për t’ia paraqitur kërkesat e tyre lidhur me rastin.
Gjatë aksionit, protestueset kanë ngritur pyetjen: “Ku është rasti i Arlinda Zekajt?”, duke kërkuar llogaridhënie nga institucionet e drejtësisë.
Fillimisht, një zyrtar policor u ka thënë protestuesve se vetëm tre persona mund të hyjnë në objekt, për shkak të hapësirës së kufizuar.
Megjithatë, nga KPK-ja u është thënë se pesë përfaqësuese mund të ngjiten lart për t'u takuar me kryesuesin.
“Pesë persona mund të vini lart dhe të takoni kryesuesin e KPK-së. Takimet nuk i mbajmë në rrugë. Nuk kemi kapacitet më shumë persona”, ka thënë njëra nga zyrtaret e KPK-së.
Ajo ka shtuar se kërkesat e protestueseve janë shqyrtuar me kujdes dhe se kryesuesi ka shprehur interesim për t'i takuar ato.
“Të gjitha pikat me kërkesat tuaja i kemi parë me shumë kujdes. Kryesuesi ka shpreh interes që t'ju takojë”, ka deklaruar zyrtarja.
Por, protestueset kanë këmbëngulur që takimi të mos zhvillohet vetëm me dy apo tre përfaqësuese, por që kryesuesi i KPK-së të dalë para tyre dhe të japë përgjigje publike për rastin.
Njëra nga protestueset ka thënë se kërkojnë garanci që rasti i Arlinda Zekajt të zgjidhet sa më shpejt.
“Ne nuk pranojmë të hyjmë dy-tri veta. Le të dalë kryesuesi para KPK-së dhe të na thotë që rasti i Arlinda Zekajt ka me u zgjidh sa më shpejt”, ka deklaruar ajo.
Protestuesja ka kërkuar gjithashtu angazhim nga Kryeprokurori i Shtetit për zbardhjen e rastit, duke ngritur edhe pyetjen se kush e çoi Arlindën drejt vdekjes.
“Dua që Kryeprokurori i Shtetit, që është shefi i prokurorëve, të bëjë që ky rast të zgjidhet. Domethënë, kush e ka çuar Arlindën drejt vdekjes?”, ka thënë ajo.
Kolektivi Feminist ka paralajmëruar se do të vazhdojë aksionet e përditshme para KPK-së nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje të menjëhershme. /Telegrafi/











































