Bota

Shuhet Tinto Brass, regjisori që sfidoi tabutë e kinemasë!

Regjisori i njohur italian Tinto Brass është ndarë nga jeta këtë të mërkurë në Romë, në moshën 93-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga bashkëshortja e tij, Caterina Varzi, dhe fëmijët Bonifacio e Beatrice.

I lindur me emrin Giovanni Brass, më 26 mars 1933 në Milano, ai u bë një nga figurat më të njohura dhe më provokuese të kinemasë italiane. Emri i tij lidhet veçanërisht me filmin “La Chiave”, të vitit 1983, që shënoi kthesën drejt kinemasë erotike dhe i dha famën si një prej regjisorëve më karakteristikë të këtij zhanri.

Gjatë karrierës së tij, Brass realizoi dhjetëra filma, mes të cilëve spikasin “Miranda”, “Paprika”, “Così fan tutte” dhe “Monella”. Në projektet e tij bashkëpunuan aktore të njohura si Stefania Sandrelli, Serena Grandi dhe Claudia Koll.

Karriera e tij nisi në vitet ’60, pas një periudhe pune në arkivin e Kinotekës së Parisit dhe bashkëpunimeve me regjisorë të njohur si Roberto Rossellini.

Në vitin 2010, regjisori pësoi një goditje në tru, e cila ndikoi në jetën e tij të mëvonshme. Në moshën 84-vjeçare u martua me Caterina Varzi, e cila qëndroi pranë tij deri në fund.

Me largimin e Tinto Brass, kinemaja italiane humbet një prej autorëve më të veçantë, që për dekada sfidoi konvencionet dhe trajtoi erotizmin si një formë të shprehjes artistike.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.