Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka dhënë detaje pas mesnate lidhur me situatën në pallatin e përfshirë nga zjarri, ku një pjesë e godinës pësoi dëmtime të rënda strukturore.
Llatja bëri të ditur se të gjitha familjet janë evakuuar. Një pjesë e banorëve janë strehuar te të afërmit, ndërsa pjesa tjetër është akomoduar në konviktet e studentëve në Elbasan.
Ndërkohë, për vlerësimin e dëmeve dhe verifikimin e sigurisë së godinës pritet ndërhyrja e specialistëve të Institutit të Ndërtimit.
“Zjarri është fikur. Aktualisht, të gjitha familjet janë evakuuar dhe nuk ka asnjë familje në pallat. Pjesa më e madhe e banorëve janë strehuar te të afërmit, ndërsa pjesa tjetër në konviktet e studentëve në Elbasan.
Pritet që në terren të mbërrijnë edhe strukturat e Institutit të Ndërtimit për të verifikuar gjendjen e strukturës së pallatit në tërësi. Sipas vlerësimeve paraprake të inxhinierëve, njëri prej sektorëve është bërë i pabanueshëm, por problematika strukturore janë konstatuar edhe në pjesën tjetër të pallatit”, u shpreh Llatja.
