Fiton 847 milionë dollarë në Powerball: sa i mbeten burrit nga New Jersey pas tatimit

Shorti i Powerball, i zhvilluar të mërkurën në mbrëmje, më 4 nëntor, i solli një burri nga New Jersey një fitore prej 847 milionë dollarësh. Ky është xhekpoti i dytë më i madh i vitit.

Për të tërhequr çmimin, fituesi mund të zgjedhë mes shpërndarjes së 847 milionë dollarëve në këste vjetore për 30 vite dhe një pagese të vetme prej 363.1 milionë dollarësh. Shumica e fituesve parapëlqejnë ta marrin shumën menjëherë.

Të lidhura

None found

Por, siç raporton Forbes, detyrimet tatimore do ta zvogëlojnë ndjeshëm vlerën që do t’i kalojë në llogarinë bankare.

Nëse vendos për pagesën e vetme, zbritja e detyrueshme prej 24% për taksat federale do t’i linte rreth 276 milionë dollarë. Me aplikimin e normës më të lartë federale, prej 37%, shuma neto do të arrinte në 228.7 milionë dollarë, pa llogaritur ende taksat shtetërore.

Alternativa e kësteve vjetore parashikon mesatarisht 28.23 milionë dollarë në vit. Pas tatimit federal me normën 37%, secila pagesë mesatare vjetore do të zbriste në rreth 17.8 milionë dollarë.

Fitimet nga lotaria që tejkalojnë 10,000 dollarë i nënshtrohen edhe tatimit shtesë në New Jersey, ku mbahet automatikisht 8% për taksat shtetërore. Për këtë arsye, fituesit mund t’i mbetet një shumë përfundimtare edhe më e ulët.


Shtuar më 5.11.2026 09:48

Quantcast