Një festë ditëlindjeje në Kaliforni, e organizuar për 97-vjetorin e një të moshuari, përfundoi në mënyrë tragjike. Vito, i cili deri në momentet e fundit ishte duke kërcyer nën ritmet e këngës së famshme “Stayin’ Alive” të grupit Bee Gees, ndërroi jetë pak pas festimit, mes miqve dhe njerëzve të tij të dashur. Historia prekëse u bë publike nga 24-vjeçari Eden Malinov, një bukëpjekës dhe fqinj i të moshuarit, i cili kishte organizuar një festë me temë Halloween për të shënuar ditëlindjen e tij të 97-të. Në pamjet e publikuara në TikTok, Vito shihet duke duartrokitur, duke kërcyer dhe duke buzëqeshur, ndërsa në sfond dëgjohet hiti i viteve 1970, “Stayin’ Alive”. Pak më vonë, pasi të pranishmit i kënduan këngën e ditëlindjes, 97-vjeçari ndërroi jetë.

Sekreti i jetëgjatësisë: Të mos pish alkool të lirë
Malinov tregoi se Vito kishte dëshiruar një festë të madhe për ditëlindjen e tij, ndaj ajo mori përsipër përgatitjen e tortës. Kur e pyeti se cili ishte sekreti për të arritur një moshë kaq të madhe, përgjigjja e tij ishte e pazakontë: të mos pinte kurrë alkool të lirë. Kjo përgjigje e frymëzoi bukëpjekësin e ri të përgatiste një tortë me çokollatë dhe verë të kuqe, posaçërisht për të.

Në rrëfimin e saj, Malinov e përshkroi Viton si një njeri plot energji, që nuk lejonte moshën ta pengonte të shijonte jetën. “Nëse kam mësuar diçka nga Vito, është që të mos lejoj kurrë që mosha ime të më kufizojë”, shkroi ajo. Ajo tregoi se, megjithëse ishte vetëm 24 vjeçe, nuk arrinte t’i përshtatej energjisë së 97-vjeçarit. “Në moshën 24-vjeçare, nuk mund ta ndiqja dot ritmin e tij. Ai ishte shpirti i festës”, u shpreh Malinov. E reja pranoi se fundi i mbrëmjes ishte krejt ndryshe nga ajo që kishin imagjinuar, por shtoi se Vito u largua nga kjo jetë i rrethuar nga njerëzit që donte, ndërsa dëgjonte muzikën e tij të preferuar.

Vdekja e 97-vjeçarit u konfirmua edhe nga miku i tij më i ngushtë, i cili zbuloi se Vito kishte pasur disa probleme shëndetësore, por njerëzit pranë tij nuk e kishin kuptuar se sa serioze ishte gjendja. “Ai kishte disa probleme shëndetësore, ashpërsinë e të cilave nuk e dinim, dhe ndërroi jetë në paqe, ndërsa po luhej muzika e tij e preferuar”, shkroi miku i tij. Videoja homazh e publikuar nga Malinov ka marrë rreth 9.5 milionë shikime në TikTok, ndërsa mesazhet e ngushëllimit dhe vlerësimit kanë qenë të shumta. “U prehsh në paqe, legjendë absolute”, ishte mesazhi me të cilin 24-vjeçarja i dha lamtumirën fqinjit të saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: