Zbulohet shkaku i vdekjes së Jesus de Miguel, autopsia konfirmon traumën në kraharor

Zbulohet shkaku i vdekjes së Jesus de Miguel, autopsia konfirmon traumën në kraharor

09:57, 05/11/2026

Janë zbardhur përfundimet paraprake të autopsisë për vdekjen tragjike të futbollistit spanjoll Jesus de Miguel, i cili ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare pas një përplasjeje të rëndë me portierin e FC Andorrës, Jesus Owono, gjatë një ndeshjeje të kategorisë së dytë në Spanjë.

Sipas raportit paraprak të mjekëve ligjorë, sulmuesi i Tenerifes ka humbur jetën si pasojë e një “traume aksidentale në kraharor”. Përfundimet janë dorëzuar në gjykatën që po heton rastin në Santa Cruz de Tenerife, ndërsa rezultatet e analizave të tjera të kryera gjatë autopsisë pritet të dalin pas ekzaminimeve në një laborator të specializuar në Spanjën kontinentale.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, në minutën e 97-të të përballjes mes Tenerifes dhe FC Andorra, kur De Miguel u përplas fort me portierin kundërshtar gjatë një aksioni pranë vijës së mesit të fushës. Sipas raportit të arbitrit, Owono përdori forcë të tepruar në dyluftimin për topin dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Sulmuesi pësoi arrest kardiak në fushë dhe u rikthye përkohësisht në jetë nga ndërhyrja e personelit mjekësor, përpara se të transportohej me urgjencë në spitalin Nuestra Señora de Candelaria. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë të martën në mëngjes.

Tragjedia ishte edhe më e rëndë për shkak se në stadium ndodheshin partnerja e tij, Maria Fernandez, dhe vajza e tyre vetëm njëvjeçare, Carla.

Ndërkohë, hetimet nuk janë përqendruar vetëm te përplasja me portierin, por edhe te mënyra se si u realizua ndërhyrja mjekësore në fushë dhe transportimi drejt ambulancës. Policia po verifikon nëse futbollistit iu dha oksigjen gjatë reanimimit, nëse defibrilatori u përdor në kohën e duhur dhe nëse u respektuan protokollet e emergjencës.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e transportimit të tij me barelë, pasi personat që e mbanin duket se lëviznin me vrap. Për këtë arsye, pritet të merren në pyetje edhe pjesëtarët e stafit mjekësor që morën pjesë në ndërhyrje.

Portieri Jesus Owono, i cili u shpreh i shkatërruar nga ngjarja, reagoi publikisht përmes një deklarate të klubit të tij.

“Këto janë ditët më të vështira të jetës sime. E kam shumë të vështirë të gjej fjalët dhe të përpunoj gjithçka që ka ndodhur. Ndiej një dhimbje të jashtëzakonshme për humbjen e Jesus. Mendimet e mia janë me të, familjen e tij dhe të gjithë njerëzit që e donin. Do të përballem me gjithçka që do të vijë me respekt të plotë, por tani nuk mund të mendoj për asgjë tjetër përveç Jesus dhe dhimbjes që po përjetojmë. U prehtë në paqe”, deklaroi portieri.

Ndërkohë, trupi i futbollistit është transportuar në Spanjën kontinentale, ku sot pritet të zhvillohet ceremonia mortore në Navahermosa, qytet ku jetojnë prindërit e tij, rreth 130 kilometra në jugperëndim të Madridit.

Hetimi gjyqësor vijon për të përcaktuar të gjitha rrethanat e kësaj tragjedie, përfshirë edhe përgjegjësinë e mundshme për mënyrën e trajtimit të emergjencës mjekësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco