Shekerinska: Synoj që Maqedonia të jetë e pranishme në çdo tryezë të rëndësishme; përvoja në NATO na jep zemër

Dhjetë vjet më parë, kur Maqedonia nuk ishte ende pjesë e NATO-s dhe përballej me një konflikt të pazgjidhur me Greqinë, vështirë se mund të mendohej se një ditë një qytetare e saj do të drejtonte takime të nivelit më të lartë të Aleancës. Radmila Shekerinska mban sot postin e zëvendëssekretares së përgjithshme të NATO-s dhe thotë se ky është një mesazh se edhe shtetet e vogla mund të realizojnë synime që dikur duken të paarritshme.

“Sa herë hyj në sallën e Këshillit të Atlantikut të Veriut, i kujtoj vetes se, kur e dëshiron vërtet diçka, mund ta bësh. Edhe një vend i vogël dhe njerëzit e tij mund të synojnë më lart e të arrijnë gjëra që u dukeshin të pamundura”, deklaroi Shekerinska për “Sitel”.

Të lidhura

None found

Ajo rikujtoi fillimet e saj në Aleancë, në kohën kur Maqedonia ishte partnere dhe anëtarësimi shihej si një objektiv i largët. Sipas saj, NATO nuk kishte vullnet të veçantë për zgjerim, ishte e angazhuar me çështje të tjera, ndërsa mosmarrëveshja me Greqinë përbënte pengesë të madhe. Tani vendi jo vetëm që është anëtar, por bën pjesë edhe në grupin e vogël të shteteve, përfaqësuesit e të cilave kanë marrë postin e dytë më të lartë në Aleancë.

“Në gati 80 vjet histori të Aleancës, zëvendëssekretar të përgjithshëm kanë pasur vetëm gjashtë vende anëtare. Ne jemi vendi i shtatë. Kjo duhet të na shtojë besimin dhe të na bëjë shumë më të guximshëm”, vuri në dukje ajo.

Ndërsa në NATO Maqedonia merr pjesë tashmë në proceset e vendimmarrjes, rruga e saj drejt integrimit evropian mbetet ende e papërfunduar.

Shekerinska tha se nuk synon të japë këshilla si dikush që nuk është pjesë e Bashkimit Evropian dhe as e politikës së brendshme të vendit. Megjithatë, ajo nënvizoi se të mos jesh pjesë e institucioneve ku merren vendimet sjell pasoja.

“Në çështjet që lidhen me sigurinë, ne jemi ulur në tryezë; dua që të jemi të pranishëm edhe në çdo tryezë tjetër të rëndësishme”, u shpreh ajo.

Sipas Shekerinskës, përvoja e Maqedonisë në NATO duhet të shërbejë si nxitje se edhe çështjet e vështira mund të marrin zgjidhje. Por, për të pasur sukses, duhet së pari të arrihet një marrëveshje brenda vendit. Mbështetja e Brukselit dhe e shteteve anëtare ka rëndësi, por nuk mund ta zëvendësojë konsensusin politik të brendshëm.


Shtuar më 5.11.2026 10:39

Quantcast