Detaje të reja dalin në dritë nga vdekja e 61-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Gotevë të Bulqizës, ndërsa hetimet po përqendrohen te familjarët e tij.
Bashkëshortja Sadete Fiku dhe djali i viktimës Gazmir Fiku, janë shoqëruar në polici, dhe ka dyshime se këta të fundit janë autorë të krimit.
Një banor i zonës, i cili e njihte nga afër familjen, ka treguar për BW, se djali i viktimës, Gazmir Fiku, 33 vjeç, punonte pranë OSHEE-së. Ai e ka përshkruar të riun si një person shembullor që në kohën kur ishte nxënës në shkollë, ndërsa është shprehur i habitur për dyshimet që kanë përfshirë familjarët.
“Për Gazmir Fikun që thonë se ka vrarë të atin, unë kurrë nuk jam në një mendje. E kam pasur nxënës dhe ka qenë ndër më shembullorët në shkollë. Familja shumë e mirë. Unë nuk e konceptoj dot që e shoqja bashkë me djalin të kenë bërë këtë krim. Ndoshta e kanë kryer, nuk e di, por nuk e besoj dot që të jetë kryer nga njerëz të familjes”, është shprehur banori.
61-vjeçari Urim Fiku humbi jetën tre ditë më parë, ndërsa fillimisht familjarët dyshuan se ai ishte sulmuar nga një ari. Ata e transportuan drejt spitalit të Bulqizës dhe njoftuan policinë, por ai mbërriti pa shenja jete.
Plagët e shumta në trup dhe dëmtimet në kokë ngritën dyshime mbi rrethanat e vdekjes. Trupi i pajetë u dërgua për ekspertizë në Tiranë, ku u zbulua se 61-vjeçari kishte një plagë të shkaktuar nga armë zjarri, konkretisht nga një plumb pistolete në gjoks.
Pas këtij konstatimi, hetimet morën një tjetër drejtim. Bashkëshortja dhe djali i viktimës u shoqëruan në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen dhe për të sqaruar rrethanat e vdekjes së 61-vjeçarit.
Po ashtu pritet edhe shoqërimi në polici i një personi tjetër të afërt me familjen. Hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të zbuluar se kush qëlloi me armë zjarri ndaj 61-vjeçarit.












