Shpërthimi i fuqishëm dhe zjarri që përfshiu një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan u morën jetën dy personave, Hamit Ibro, 69 vjeç, dhe Hatixhe Berisha, 82 vjeçe.
Trupi i pajetë i 69-vjeçarit u gjet rreth orës 00:40, pas disa orësh kërkimesh nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe shërbimin zjarrfikës. Ai ishte pronari i banesës në katin e tretë, ku dyshohet se nisi shpërthimi.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i shpërthimit dhe zjarrit ka qenë prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.
Si pasojë e ngjarjes humbi jetën në vend edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, ndërsa 10 banorë të tjerë mbetën të dëmtuar. Ata morën ndihmë mjekësore në spital dhe më pas u larguan nga ambientet spitalore.
Pallati pësoi dëme të shumta materiale. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit dhe në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s, vijon këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe hetimet për të përcaktuar plotësisht rrethanat dhe shkakun e shpërthimit.a.b





