Një 57-vjecar ka rënë në prangat e Policisë në kuadër të operacionit të koduar ‘Vila’ në Vaun e Dejës, pas disa muajsh hetime për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Në pranga është vënë Ndue Nikaj, banues në Shkodër, i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin dhe prodhimin e mbi 24 kilogramëve kanabis si dhe në kultivimin e 78 bimëve narkotike të llojit Cannabis Sativa. Sipas Policisë, lënda narkotike dhe bimët janë zbuluar dhe sekuestruar më 12 tetor 2026 në fshatin Vilë, në njësinë administrative Temal. Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Ndërkohë që materialet procedurale I janë referuar Prokurorisë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.