Gjykata finlandeze dënon me burg kapitenin rus për sabotimin e kabllove nënujore në Detin Baltik

Një gjykatë në Finlandë ka dënuar me burg të enjten kapitenin rus dhe një anëtar të lartë të ekuipazhit të një anijeje mallrash, të akuzuar për sabotimin e dy kabllove nënujore që lidhin Finlandën me Estoninë.
Gjykata e Qarkut në Helsinki shpalli fajtorë kapitenin dhe zëvendësin e tij në anijen “Fitburg” për veprën penale të “dëmtimit të rëndë të pronës”. Kapiteni rus u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg, ndërsa anëtari i ekuipazhit me shtetësi azerbajxhanase me dy vjet e dhjetë muaj.
Anija “Fitburg”, një mjet lundrues transporti me gjatësi prej 132 metrash, ishte nisur nga Shën Petersburgu i Rusisë dhe po udhëtonte drejt portit izraelit të Haifës. Ajo u ndalua nga autoritetet finlandeze në natën e ndërrimit të viteve, pas dyshimeve se spiranca e saj kishte dëmtuar një kabllo telekomunikacioni në Gjirin e Finlandës.
Sipas autoriteteve finlandeze, anija, e cila lundronte nën flamurin e Shën Vincentit dhe Grenadineve, dyshohet se e kishte tërhequr spirancën përgjatë shtratit të detit për disa kilometra, transmeton Telegrafi.
Në janar, Dogana e Finlandës kishte përcaktuar se ngarkesa me produkte çeliku i nënshtrohej sanksioneve kundër Rusisë. Megjithatë, nuk u nis hetim penal për këtë çështje, pasi produktet kishin hyrë në ujërat territoriale finlandeze vetëm pasi autoritetet i kishin urdhëruar anijes të ndryshonte pozicion.
Ndërkohë, një inspektim i kryer nga Agjencia Finlandeze e Transportit dhe Komunikimeve nuk kishte konstatuar mangësi të rënda në gjendjen e anijes.
Kablloja e dëmtuar është në pronësi të kompanisë finlandeze të telekomunikacionit Elisa dhe ndodhet në zonën ekskluzive ekonomike të Estonisë.
Që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, shumë ekspertë dhe udhëheqës politikë i kanë parë rastet e dyshuara të sabotimit të kabllove nënujore si pjesë të një lufte hibride që Rusia po zhvillon kundër vendeve perëndimore.
Në dhjetor të vitit 2024, autoritetet finlandeze ndërhynë edhe ndaj cisternës së naftës “Eagle S”, e lidhur me Rusinë. Hetuesit pretenduan se kjo anije kishte dëmtuar kabllo elektrike dhe linja telekomunikacioni në Detin Baltik, pasi kishte tërhequr spirancën përgjatë shtratit të detit.
Megjithatë, në tetor, një gjykatë finlandeze e hodhi poshtë atë çështje, pasi prokuroria nuk arriti të provonte se dëmtimi ishte kryer me qëllim.
Tetë vendet anëtare të NATO-s që kufizohen me Detin Baltik, i cili laget edhe nga Rusia, kanë qenë në gjendje të shtuar gatishmërie pas një vargu incidentesh që kanë shkaktuar dëme në kabllo elektrike, rrjete telekomunikacioni dhe tubacione gazi nënujore.
Këto incidente përgjithësisht janë konsideruar si akte të qëllimshme sabotimi, për të cilat është dyshuar lidhja me Rusinë. Si përgjigje, NATO ka shtuar praninë e saj në rajon, duke angazhuar fregata patrullimi, avionë dhe dronë detarë.
Edhe NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë rritur nivelin e vigjilencës pas një serie shkeljesh të hapësirës ajrore, që dyshohet se kanë ardhur nga Rusia. /Telegrafi/








































