Bota

Alarme për bomba, devijohen 3 avionë në Europë!

Një valë kërcënimesh për vendosjen e bombave vuri në alarm autoritetet e aviacionit në Europë. Tre fluturime janë përfshirë në incidentet e raportuara orët e fundit, duke detyruar devijimin e avionëve.

Bëhet fjalë për një Airbus A320 që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, një të kompanisë Wizz Air i nisur nga aeroporti i Malpensa-s në Itali dhe një tjetër fluturim nga Helsinki drejt kryeqytetit italian.

Avioni i linjës Dublin-Romë u devijua drejt aeroportit francez të Évreux-së, në Normandi. Sipas të dhënave të raportuara, u kthye nga itinerari fillestar kur ndodhej mbi zonën e Essonne-it, në jug të Parisit, para se të ndryshonte drejtimin dhe të vijonte fluturimin drejt bazës ajrore në Normandi.

Forcat Ajrore Franceze bënë të ditur se avionët luftarakë u ngritën në ajër për të interceptuar dhe shoqëruar avionin drejt Évreux-së. Autoritetet franceze konfirmuan se situata po ndiqej në kohë reale, në përputhje me procedurat e sigurisë.

Ndërkohë, një tjetër alarm u raportua në një fluturim të Wizz Air-it, i nisur nga Malpensa dhe që u devijua për në Vjenë. Edhe avioni që udhëtonte nga Helsinki drejt Romës u ul në aeroportin Fiumicino.

Këto incidente vijnë pas një serie kërcënimesh të ngjashme, të raportuara ditët e fundit në disa aeroporte europiane. Sipas informacioneve publike, 10 fluturime janë shënjestruar nga kërcënime të dyshuara si të rreme për bomba.

Katër prej rasteve të raportuara kanë përfshirë fluturime të kompanisë Ryanair, mes tyre linjat Mançester-Murcia, Lisbonë-Romë, Dublin-Romë dhe Dublin-Sofje.

Autoritetet vijojnë të zbatojnë procedurat e sigurisë për verifikimin e kërcënimeve, ndërsa incidentet kanë shkaktuar devijime dhe ndërhyrje të forcave të sigurisë në disa aeroporte të kontinentit.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.