Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për 15 të pandehurit e dosjes së bujshme “Plumbi i Artë”, duke kërkuar në total 302 vite burgim për personat e përfshirë në këtë proces.
Dënimin më të lartë, nga 35 vite burg, SPAK e ka kërkuar për Henrik Hoxhën dhe Petrit Qolin. Ndërsa për Nuredin Dumanin, një prej personazheve kryesore të kësaj dosjeje dhe bashkëpunëtor të drejtësisë, është kërkuar dënimi me 10 vite burg.
Sipas pretencës së SPAK, dënimet e kërkuara për 15 të pandehurit janë:
-Nuredin Dumani – 10 vite burg
-Henrik Hoxha – 35 vite burg
-Skerdi Tase – 13 vite burg
-Erion Alibej – 15 vite burg
-Besian Xhixha – 25 vite burg
-Enver Diva – 25 vite burg
-Xhulian Hoxha – 20 vite burg
-Petrit Qoli – 35 vite burg
-Agron Qoli – 20 vite burg
-Asllan Plaku – 20 vite burg
-Altin Ndoci – 25 vite burg
-Fatos Gosa – 20 vite burg
-Adrian Uzuni – 15 vite burg
-Albert Pashaj – 15 vite burg
-Gentian Sharra – 9 vite burg
Operacioni “Plumbi i Artë” u zhvillua në maj të vitit 2022, pas një hetimi të gjatë të SPAK, i cili çoi në goditjen e disa grupeve kriminale që dyshohej se vepronin në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Hetimi mori një zhvillim të rëndësishëm pas arrestimit të Nuredin Dumanit në prill të vitit 2022, në zonën e Paprit në Elbasan. Pas arrestimit, ai vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe rrëfeu një sërë ngjarjesh kriminale, duke treguar për porosi vrasjesh, pagesa dhe persona që, sipas tij, ishin të përfshirë në organizimin e atentateve.
Në hetim u përdorën edhe komunikimet e zbardhura në platformën e enkriptuar Sky ECC, përmes të cilave SPAK pretendon se dokumentoi lidhjet mes personave të dyshuar dhe organizimin e krimeve.
Dosja përfshin disa nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit, mes tyre vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës, në prill të vitit 2020, vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në Elbasan, si dhe ekzekutimin e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në Durrës.
Një tjetër episod i rëndë është vrasja e Andi Zylyfit në Peqin, si dhe atentate dhe tentativa të tjera për eliminimin e personave të konsideruar si kundërshtarë nga grupet kriminale.
Në dosje përfshihen gjithashtu dyshimet për vrasjen e Ervis Dedjas dhe nënës së tij, Fatmira Dedja, si dhe planet për eliminimin e personave të tjerë, mes tyre Indrit Dokle dhe Elton Kila. Për këto episode, SPAK ka paraqitur prova dhe dëshmi që sipas Prokurorisë lidhin të pandehurit me veprimtarinë kriminale.
Të pandehurit në këtë dosje akuzohen për veprat penale:
-Vrasje me paramendim dhe vrasje në rrethana cilësuese.
-Sigurim të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve.
-Tentativa për vrasje.
-Vjedhje me dhunë dhe me armë.
-Shkatërrim prone me eksploziv.
-Dhunë në familje.
-Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
-Krijim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.












