Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar pretencën për dosjen “Plumbi i Artë”. Ajo kërkon një total prej 299 vitesh burg për 15 të pandehur. Kërkesa u paraqit nga prokurorja Doloreza Musabelliu. Ajo ka propozuar një dënim prej vetëm 10 vitesh për bashkëpunëtorin e drejtësisë Nuredin Dumani. Ky i fundit, së bashku me Henrik Hoxhajn, u arrestuan në mars të vitit 2022. Më pas ata vendosën të bashkëpunojnë me drejtësinë, duke mundësuar zbardhjen e një serie ngjarjesh kriminale të rënda. Dëshmitë e tyre çuan në identifikimin e dhjetëra personave të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e grupeve kriminale, kryesisht në Elbasan, Durrës dhe Tiranë.
Operacioni “Plumbi i Artë” u zhvillua nga SPAK në mars të vitit 2022, pikërisht pas arrestimit të Dumanit dhe Hoxhajt. Hetimet e prokurorisë zbardhën gjithsej 18 ngjarje kriminale. Mes tyre vrasje me pagesë, atentate të mbetura në tentativë dhe përplasje mes grupeve kriminale. Mes ngjarjeve të zbardhura përmenden vrasja e Emiljano Ramazanit, ekzekutimi i vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës, vrasja e Fatmira Dedjes dhe ajo e Bujar Çelës në Elbasan. Hetimet zbuluan gjithashtu porosi për eliminimin e personave të tjerë, kundrejt pagesave që arrinin në qindra mijëra euro. Një prej elementeve kryesore të hetimit ishte përdorimi i platformës së enkriptuar Sky ECC. Përmes komunikimeve të së cilës SPAK siguroi prova për organizimin dhe koordinimin e episodeve të ndryshme kriminale. Në proces janë përfshirë emra të njohur të botës së krimit.
Dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë kanë qenë një prej bazave kryesore të akuzës. Pretenca e SPAK për 299 vite burg në total për 15 të pandehurit shënon një nga kërkesat më të rënda të paraqitura për këtë dosje. Dënimi prej 10 vitesh i propozuar për Dumanin pasqyron statusin e tij si bashkëpunëtor i drejtësisë. Dosja “Plumbi i Artë” mbetet ndër hetimet më të bujshme të krimit të organizuar të ndërmarra nga SPAK. Ajo është e ndërtuar kryesisht mbi dëshmitë e dy bashkëpunëtorëve dhe mbi komunikimet e siguruara nga platforma Sky ECC.
