Britaniku rrezikon burgimin pasi fshehu kamerë në tualetin e aeroplanit gjatë fluturimit Japoni-Singapor
Një shtetas britanik 52-vjeçar pritet të dalë para gjykatës, pasi dyshohet se kishte fshehur një kamerë në tualetin e një avioni gjatë fluturimit nga Japonia drejt Singaporit dhe kishte aktivizuar regjistrimin në distancë, njoftoi policia.
Identiteti i të dyshuarit nuk është bërë publik. Sipas një deklarate të Policisë së Singaporit, ai pritet të përballet me akuza për përgjim të paligjshëm dhe pengim të drejtësisë lidhur me incidentin e 7 tetorit.
Policia e aeroportit ishte njoftuar për rastin rreth orës 17:35 të asaj dite. Hetimet paraprake kanë zbuluar se burri e kishte vendosur kamerën e fshehtë në njërin prej tualeteve të avionit dhe më pas ishte larguar, duke aktivizuar funksionin e regjistrimit përmes një aplikacioni në telefonin e tij celular.
Pajisja u zbulua nga një anëtare e ekuipazhit të kabinës, e cila e vuri re kamerën gjatë përdorimit të tualetit. Ajo e largoi pajisjen dhe njoftoi një koleg, transmeton Telegrafi.
Sipas policisë, i dyshuari më vonë ishte përpjekur ta merrte kamerën, por kishte konstatuar se ajo ishte larguar tashmë. Më pas, në përpjekje për të shmangur zbulimin, ai dyshohet se kishte fshirë aplikacionin dhe të gjitha fotografitë përkatëse nga telefoni i tij.
Burri u ndalua për t'u marrë në pyetje pasi avioni ateroi në aeroportin Changi të Singaporit. Policia sekuestroi telefonin e tij celular dhe kamerën, të cilat do të përdoren si prova në hetim.
Ai do të përballet me një akuzë për përgjim të paligjshëm, në bazë të Kodit Penal të Singaporit, në lidhje me Ligjin për Konventën e Tokios të vitit 1971. Nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me deri në dy vjet burgim, gjobë, ndëshkim fizik me shkop ose një kombinim të këtyre masave.
Gjithashtu, ndaj tij pritet të ngrihet një akuzë për pengim të drejtësisë, sipas nenit 204A të Kodit Penal, në lidhje me të njëjtin ligj. Kjo vepër penale parashikon dënim deri në shtatë vjet burgim, gjobë ose të dyja bashkë.
Policia e Singaporit deklaroi se ka “zero tolerancë ndaj personave që kryejnë vepra penale seksuale dhe rrezikojnë sigurinë personale të qytetarëve”. Ajo u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve që të jenë vigjilentë ndaj rasteve të mundshme të përgjimit të paligjshëm. /Telegrafi/



























