Real Madridi ka ndryshuar tërësisht fytyrë pas pushimit të kombëtareve, duke kaluar nga dyshimet dhe kritikat në një skuadër që duket pothuajse e pandalshme. Shtatë fitore në 26 ditë, katër në La Liga dhe tri në Champions League, kanë rikthyer besimin te projekti i José Mourinhos, i cili po jep përgjigjen më të mirë ndaj kritikëve.
Suksesi i fundit ndaj AEK Athinës ishte një tjetër dëshmi e karakterit të madrilenëve. Pavarësisht se u desh të përmbysnin dy herë rezultatin, Reali arriti të fitonte falë golit të Federico Valverdes në minutën e 92-të. Një skuadër që nuk dorëzohet deri në sekondën e fundit dhe që ka rigjetur besimin te vetja.
Vetëm pak javë më parë situata ishte krejt ndryshe. Humbja në derbi, e dyta e sezonit, kishte ngritur pikëpyetje mbi vazhdimësinë e rezultateve dhe aftësinë e Mourinhos për të menaxhuar presionin në Madrid. Madje, nuk munguan as zërat për një shkarkim të mundshëm të trajnerit portugez.
Por përgjigjja erdhi në fushën e lojës. Në kampionat, Reali ka regjistruar katër fitore radhazi, përfshirë suksesin në transfertë ndaj Barcelonës në “Camp Nou”, duke rihapur garën për titullin. Ndërsa në Champions League, tri fitoret e fundit e kanë afruar ndjeshëm me objektivin për të përfunduar në tetë vendet e para të fazës së ligës.
Në këtë ringritje, një rol të rëndësishëm kanë Kylian Mbappé, me 16 gola në 15 ndeshje, Jude Bellingham dhe Federico Valverde. Mesfushori uruguaian po kthehet në një element kyç të skuadrës, duke ofruar intensitet, sakrificë dhe kontribut vendimtar në momentet e vështira.
Merita kryesore, megjithatë, i takon Mourinhos. I cilësuar nga disa si një trajner që kishte kaluar kulmin e karrierës dhe i përballur me kritika të shumta, portugezi nuk zgjodhi polemikat apo revolucionin në skuadër. Ai punoi mbi pikat e forta të grupit, riktheu besimin dhe arriti ta shndërronte presionin në energji pozitive.
Tashmë, përpara pushimit të radhës për kombëtaret, Real Madridin e pret transferta ndaj Valencias në “Mestalla”. Një tjetër mundësi për të konfirmuar se kriza është lënë pas dhe se projekti i Mourinhos ka rifituar drejtimin e duhur.
