GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës për të dalë nga kafazi i xhamit, Kryemadhi vijon parashtrimet: 90% e mesazheve janë nxjerrë jashtë kontekstit
Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës gjyqësore ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, ku kjo e fundit vijon me parashtrimet e saj lidhur me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.
Në seancën e kësaj të enjteje, Ilir Meta paraqiti tri kërkesa përpara trupit gjykues. Ai kërkoi lejimin e regjistrimit dhe transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore, daljen nga kafazi i xhamit gjatë zhvillimit të procesit, si dhe trajtimin e çështjes së survejimit me kamera gjatë takimeve me avokatët në paraburgim.
Sa i përket kërkesës së fundit, avokati i Metës pretendoi se takimet në ambientet e paraburgimit monitorohen nga kamera që regjistrojnë komunikimet. Për këtë çështje, trupi gjykues bëri me dije se kërkesa do t’i përcillet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për shqyrtim.
Ndërkohë, lidhur me transmetimin live të seancave, gjyqtari Erion Bani rikujtoi se gjykata është shprehur më herët për këtë çështje, duke theksuar se procesi është i hapur dhe publik dhe se gazetarët kanë mundësi të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit.
Një tjetër kërkesë e Metës ishte ajo për të qëndruar jashtë kafazit të xhamit, pranë avokatëve të tij. Mbrojtja argumentoi se në dy seancat e zhvilluara në Apel, qëndrimi i Metës pranë mbrojtësve nuk kishte krijuar asnjë problem. Avokati theksoi gjithashtu se prokurorët ishin të pranishëm dhe mund të shprehnin qëndrimin e tyre për këtë çështje.
Nga ana tjetër, prokurori Arben Kraja deklaroi se për kërkesën e daljes nga kafazi ia linte vlerësimin gjykatës, ndërsa për transmetimin e seancave drejtpërdrejt u shpreh kundër.
Në përfundim, trupi gjykues rrëzoi kërkesën e Ilir Metës për të dalë nga kafazi i xhamit.
Ndërkohë, Monika Kryemadhi vijon parashtrimet e saj përpara gjykatës, ku po kundërshton akuzat dhe provat e paraqitura nga Prokuroria.
Gjatë qëndrimit të saj, Kryemadhi është shprehur se synon të provojë se 90% e mesazheve të përdorura nga Prokuroria për ngritjen e akuzave janë nxjerrë jashtë kontekstit.
Ajo po paraqet argumentet e mbrojtjes lidhur me komunikimet e administruara në dosjen hetimore, duke kundërshtuar mënyrën se si Prokuroria i ka interpretuar ato në funksion të akuzave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



