Cristiano Ronaldo njofton tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar (VIDEO)

5 Nëntor 2026 | 11:37

Cristiano Ronaldo ka njoftuar tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren e Portugalisë pas 23 vitesh.

Futbollisti 41-vjeçar e bëri të ditur vendimin përmes një deklarate emocionuese, në të cilën iu drejtua tifozëve portugezë dhe falenderoi të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit të tij me fanellën e kombëtares.

Ronaldo largohet nga Portugalia me një bilanc prej 146 golash në 234 ndeshje. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2016, si dhe dy trofe të Ligës së Kombeve.

Vendimi vjen pak javë pas përplasjes së tij me trajnerin e ri të Portugalisë, Jorge Jesus. Konflikti përfundoi me largimin e Ronaldos nga grumbullimi i kombëtares gjatë periudhës së ndeshjeve ndërkombëtare në shtator dhe tetor.

Në deklaratën e tij, Ronaldo theksoi se fanella me numrin 7 nuk i përkiste vetëm atij dhe se kishte ardhur momenti t’ua linte brezave të ardhshëm.

“Një rrugëtim që nisi në gusht të vitit 2003 dhe që ma ndryshoi jetën përgjithmonë, po merr fund. Sot përfundon rrugëtimi im në fushë me kombëtaren. Largohem me kokën lart, krenar për rrugën që kam përshkuar dhe i vetëdijshëm se i dhashë gjithçka Portugalisë”, u shpreh ai.

Ronaldo shprehu gjithashtu mirënjohjen për shokët e skuadrës, trajnerët, stafin dhe familjen, ndërsa theksoi se do të vazhdojë të mbështesë Portugalinë dhe të festojë çdo fitore të saj.

Ndërkohë, ai shpreson që djali i tij, 16-vjeçari Cristiano Junior, të vijojë traditën familjare në futboll, pasi këtë javë është grumbulluar me kombëtaren U-17 të Portugalisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Teherani: Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur derisa SHBA të plotësojë 7 kushtet

Irani ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në momentin kur Shtetet e Bashkuara të pranojnë dhe të zbatojnë plotësisht...
09:25 | 05/11/2026

Tensione në protestë, policia shoqëron disa persona, protestuesit tentojnë të bllokojnë furgonin

Një incident është shënuar këtë të mërkurë pasdite gjatë protestës, ku efektivët e policisë kanë shoqëruar disa persona me një furgon policie. Në momentin që...
18:29 | 04/11/2026

Stërvitje kërkim-shpëtimi pranë aeroportit të Rinasit, Ministria e Mbrojtjes: Nuk ka emergjencë reale

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, do të zhvillohet stërvitja e planifikuar e kërkim-shpëtimit...
09:11 | 04/11/2026