Është mbajtur këtë të enjte seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme për dosjen ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Në nisje të gjyqit, ish-presidenti ka paraqitur tri kërkesa, dy prej të cilave u rrëzuan nga gjykata.
Meta kërkoi të dilte nga kafazi i xhamit dhe të ulej pranë avokatit të tij, lejimin e kamerave për të transmetuar procesin gjyqësor, si dhe verifikimin e pajisjeve të përgjimit në ambientet e paraburgimit 313, ku pretendon se regjistrohen bisedat e tij me avokatin mbrojtës, Bujar Musta.
Prokurori Arben Kraja kundërshtoi kërkesën për lejimin e kamerave, ndërsa për pretendimet mbi përgjimin e komunikimeve me avokatin deklaroi se kjo çështje nuk është në kompetencën e SPAK. Për kërkesën që Meta të mos qëndronte në kafazin e xhamit, ia la vendimmarrjen gjykatës.
Pas shqyrtimit, gjykata vendosi të rrëzojë kërkesat për daljen nga kafazi i xhamit dhe transmetimin e seancës me kamera.
Ndërkohë, për pretendimin e Metës se përgjohen bisedat e tij me avokatin mbrojtës gjatë takimeve në paraburgim, gjyqtari Erion Bani bëri të ditur se çështja do t’i përcillet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për verifikim.












