Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për mediat lidhur me progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
Rama ka vlerësuar progres-raportin e këtij viti si më të mirin që Shqipëria ka marrë ndonjëherë, duke theksuar se vendi ka hyrë në fazën e fundit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij në konferencë me ambasadoren e BE, Rama u ndal edhe te problematikat e evidentuara nga Brukseli, përfshirë vonesat në gjykata, mbikëqyrjen parlamentare, cilësinë e opinionit publik dhe përdorimin e tepruar të forcës nga policia gjatë protestave.
“Për herë të parë, KE-ja ka paraqitur udhërrëfyesin orientues për katër vendet më të përparuara në procesin e negociatave. Për Shqipërinë, ky udhërrëfyes përcakton etapat dhe objektivat e punës për vitin sfidues që kemi përpara, duke i dhënë procesit shumë qartësi dhe parashikueshmëri. KE-ja e konsideron objektivin për t’i përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027 si ambicioz, por të arritshëm. Vlerësim tejet i rëndësishëm për Shqipërinë.
Udhërrëfyesi nuk përcakton datë anëtarësimi, sepse nuk ka si ta përcaktojë, pasi nuk e paracakton dot as rezultatin e negociatave. Por na tregon, centimetër për centimetër, kilometrin e fundit të rrugës për të përmbushur këtë objektiv kombëtar dhe historik. Kjo do të thotë që koha merr çdo ditë e më shumë rëndësi. Dhe çdo ditë bëhet më e çmuar në raport me këtë objektiv. Këtë duhet ta kuptojnë mirë ata që janë përfshirë në vijën e parë të këtij procesi: Parlamenti, qeveria, gjyqësori. Dhe, para të gjithëve, duhet ta kuptojë shumica jonë qeverisëse.
Mundësia që kemi sot për të përmbyllur negociatat është unike, është historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme njëherë e përgjithmonë. Historia nuk do të na e falte kurrë vjedhjen e kësaj historie për shkakun tonë, të shqiptarëve. Unë do të bëj çmos që të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur mundësinë të ngjitet lart dhe që askush dhe asgjë të mos e vërë në pikëpyetje këtë mundësi historike për mustaqet e asnjë Çeloje”, tha Rama.
