Vendimi i Cristiano Ronaldos për t’i dhënë fund karrierës me kombëtaren e Portugalisë ka shkaktuar emocione të shumta në vendin luzitan. Pas njoftimit të yllit 40-vjeçar, ka reaguar edhe Federata Portugeze e Futbollit, e cila ka publikuar një komunikatë plot vlerësime dhe mirënjohje për kapitenin historik.
Në deklaratën e saj, Federata e cilëson Ronaldon si një lider karizmatik, shembull përkushtimi dhe simbolin më të rëndësishëm të përfaqësueses portugeze.
“Federata Portugeze e Futbollit shpreh mirënjohjen më të thellë dhe të përjetshme për kapitenin tonë legjendar, Cristiano Ronaldo. Gjatë një karriere të jashtëzakonshme ndërkombëtare, me 234 paraqitje dhe 146 gola, ai ka mbajtur mbi supe një komb të tërë, ka thyer rekorde dhe ka udhëhequr skuadrën drejt momenteve që do të mbeten përgjithmonë në historinë e futbollit tonë”, thuhet në komunikatë.
Por Federata nuk dëshiron që largimi i CR7 të kalojë pa një ceremoni të veçantë. Për këtë arsye, ajo ka bërë të ditur se synon të organizojë një ndeshje lamtumire, ku tifozët dhe i gjithë vendi të kenë mundësinë ta përshëndesin edhe një herë legjendën e tyre.
“Ne refuzojmë që kjo lamtumirë të ndodhë pa nderimin e merituar. Është dëshira jonë e madhe të organizojmë dhe të bashkëpunojmë për një homazh dinjitoz ndaj karrierës së jashtëzakonshme të Cristiano Ronaldos”, thekson Federata.
Në fund, mesazhi për kapitenin ishte i qartë: “Faleminderit për gjithçka, kapiten! Kjo do të jetë gjithmonë shtëpia jote! Tani synojmë objektivin e 1000 golave!”.
