Policia Alpine, një strukturë e specializuar për operacionet e kërkim-shpëtimit, bëri një seancë stërvitore në Shkodër, duke simuluar shpëtimin e një personi të bllokuar në zonë malore.

Stërvitja dhe simulimi i operacionit, u ndoq nga afër edhe nga kryepolici Skënder Hita.  Ky seksion është angazhuar në 23 raste, në mbështetje të Emergjencave Civile, në qarqe të ndryshme të vendit, 10 prej të cilave kanë qenë operacione kërkim-shpëtimi.

Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita theksoi se kjo forcë ka shpëtuar shumë turistë, vizitorë dhe qytetarë që kanë kërkuar ndihmë, veçanërisht gjatë sezonit të verës. Edhe në dimër theksoi ai, vëmendja duhet të jetë maksimale, ndaj qytetarëve që mund të përballen me situata problematike nga përmbytjet.

“Jemi me Njësinë Alpine të Forcave të Sigurisë Kombëtare, këtu në Shkodër. Demonstrimi që ne sapo ndoqëm na bën më entuziastë dhe të fortë për të përballuar çdo situatë të vështirë. Ishte me të vërtetë në kushte reale dhe shumë i arritur nga forcat alpine. Forcat alpine, gjatë këtij viti, kanë bërë ndërhyrje më së shumti në zonat malore të rrethit Shkodër, ku, përveç veçorive turistike që ka ky qytet, ka lindur domosdoshmërisht nevoja për këtë forcë. Unë ju inkurajoj që të vazhdoni të përgatiteni për kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit të turistëve që vizitojnë alpet tona, por edhe të të gjithë shtetasve të tjerë shqiptarë që janë në këto zona.”- u shpreh Hita.

“Gjithashtu, meqë jemi në prag të sezonit të dimrit, do të duhet t’i kushtojmë vëmendje kërkim-shpëtimit në pjesën ku ka përmbytje dhe problematika të tjera për sa i përket jetës dhe pronës së qytetarëve. Forcat alpine do të kenë vërtet një mbështetje të padiskutueshme, si në burimet njerëzore, ashtu edhe në formatin tjetër, për sa i përket pjesës materiale dhe teknike. Gjithashtu, nuk do të përfundojë me kaq. Kemi si qëllim që ne të jemi garant për rendin, garant të jetës së qytetarit. Ju inkurajoj që këtë proces kaq të mirë që ne kemi filluar tani ta çojmë më tej dhe të jemi në krye të të gjitha sfidave me të cilat përballet Policia. Ju falënderoj, prandaj, unë zgjodha ta filloj nga Shkodra, për t’ju dhënë mbështetjen e plotë. Një falënderim nga zemra dhe një përkrahje e madhe për ju. Vetëm suksese dhe na e priftë e mbara të gjithëve!”-theksoi Hita.

Ndërkohë, Shefi i Seksionit të Policisë Alpine komisar Ardian Zhuraj, bëri me dije se kjo strukturë është angazhuar në 23 raste në mbështetje të Emergjencave Civile në qarqe të ndryshme të vendit, 10 prej të cilave kanë qenë operacione kërkim-shpëtimi.

Nga ana tjetër, Shefi i Njësisë së Forcës Kombëtare të Sigurisë në Shkodër, kryekomisar Arben Curri, siguroi se efektivët e njësisë vijojnë angazhimin në luftën kundër kultivimit të kanabisit, kapjen e personave të shpallur në kërkim, garantimin e sigurisë publike dhe mbështetjen e strukturave të Policisë vendore.